skip to Main Content

Libri shqiptar në panairin e Leipzig-ut

libri

Për të tretin vit radhazi, letërsia shqiptare u përfaqësua në panairin e njohur të Leipzig-ut, ndër më të rëndësishmit në Europë, që mbahet tradicionalisht në pranverë, me qëllim komunikimin dhe bashkëpunimin mes botuesve, autorëve, lexuesve, me rreth 2800 veprimtari promovuese.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë u paraqit me disa botime të rëndësishme, të cilat tërhoqën vëmendjen e vizitorëve të shumtë në stendën e Shqipërisë. Autorët shqiptarë të dërguar nga Shoqata e Botuesve, si filozofi Artan Fuga, fitues i çmimit të Panairit të Librit në Tiranë; shkrimtari Visar Zhiti, fitues i Çmimit të Madh të Letërsisë; shkrimtarja dhe përkthyesja Lindita Arapi, si dhe poetja Alma Papamihali, patën prezantime të shumta, të organizuara nga Rrjeti Europian i Letërsisë TRADUKI, në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë.

Temat ishin nga më interesantet, ato që shqetësojnë sot botën e letrave. Profesor Artan Fuga së bashku me shkrimtarin maqedonas Ermis Lafazanovski dhe malazesin Ognjen Spahiç u ngjitën në panelin e diskutimit “Si të shkruhet në ditët e sotme”, ndërsa një aktor gjerman lexoi pjesë nga libri i Fugës “Rënia e qytetit”. Botuesit Benet Koleka dhe Frano Kulli, së bashku me kolegët e tyre kroatë dhe hungarezë, shpalosën problemet e botimit dhe të bashkëpunimit.

Shkrimtari Visar Zhiti ndau panelin dhe shkëmbeu përvoja poetësh me kolegun slloven Andrej Blatnik, të jetosh dhe të shkruash në kohën e rrjeteve sociale sot, me monitoruese zonjën Alida Bremer.  Në fund të panairit u zhvillua nata ballkanike në teatrin e vjetër të Leipzig-ut, UT Connewitz, ndër më të vjetrit në Europë. Mes poetëve të shumtë sllovenë, kroatë, serbë, rumunë, bullgarë, malazes etj.,  ishin bashkautorët nga Republika e Shqipërisë dhe e ajo e Kosovës, Visar Zhiti dhe Jeton Neziraj, Lindita Arapi dhe Blerina Rogova.

Autorët shqiptarë ishin bashkë gjithandej, në stenda e promovime, si ai i shkrimtarit Beqë Cufaj, i botuar me sukses edhe në Gjermani, ku punon e jeton. Sallat vazhdimisht ishin plot, publiku rrinte dhe më këmbë dhe u kërkonin autografe autorëve tanë. Stendën e Shqipërisë e vizituan edhe gazetarë, botues, studiues, shpërndarës librash nëpër Europë, ambasadori i Kosovës në Gjermani etj.

Panairi Leipzig-ut i shërben jo vetëm njohjes së librit të njërit-tjetrit si mundësi mirëkuptimi e fqinjësie të mirë, por edhe si pikë e rëndësishme takimi për ambientin letrar europian. Kultura dhe libri, si pjesë e rëndësishme e saj, duhet të jenë pasuri e përbashkët e jona dhe panairi i Leipzig-ut i dha këto mesazhe, kurse libri shqiptar, botuesit dhe autorët, tërhoqën vëmendjen dhe u ndjenë të mirëpritur.?