Loja, shembja e qiellit
Romani më i ri i Bashkim Shehut, “Loja, shembja e qiellit”, u promovua të mërkurën në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Një roman psikologjik, që trajton një histori personale në kohën e diktaturës, ndërsa prek edhe persekutimin e klerit katolik. Shehu pohon se romani nuk është autobiografi, edhe pse në faqet e tij jeta e personazheve kryesorë ka elementë të ngjashëm me jetën e vetë autorit.
Autori e ka cilësuar si romanin më të vështirë, pasi i është dashur të transformojë ngjarje të periudhës së diktaturës duke i rrëfyer ato nëpërmjet letërsisë. Vetë autori që në nisje të romanit shpjegon: “Pjesët që kanë të bëjnë me historinë moderne të përndjekjeve ndaj fesë janë mbështetur në kujtimet e at Zef Pllumit. Për episodin e vetëndëshkimit të një babai në gjyqin e të birit, falënderoj bashkëvuajtësin Avni Aliko”.
Në thelb të romanit është drama psikologjike e një të riu në një raport problematik me autoritetin atëror, me autoritetin pushtetar dhe me autoritetin e Zotit. Romani rrëfen historinë e Aleks Krastës, i dënuar me burg nga regjimi komunist, një i burgosur politik. Brenda mureve të burgut, ai miqësohet me një prift françeskan. Në këtë libër gjejnë vend edhe ngjarje reale, si futja e armëve në Kuvendin Françeskan të Shkodrës nga Sigurimi i Shtetit.
Përmes personazhit të Aleks Krastës, autori përshkruan burgun brenda qelive, por edhe jashtë tyre, të një të riu, raportet e tij me pushtetin, por edhe me të atin.Në fund të romanit rrëfehet episodi i ndëshkimit të një prindi, i cili nxjerr sytë në sallën e gjyqit, kur sheh se e kishin mashtruar, se të birin nuk e falën siç e kishin premtuar, edhe pse ai e bindi të pranonte se ishte armik.
Kjo është historia e Aleks Krastës, një të riu të përndjekur në diktaturë dhe të çorientuar në post-diktaturë, “i rrethuar nga një valle fantazmash që e ka ndjekur tërë jetën”.?