Ndihmë! Filloi shkolla…
Dita e parë e shkollës gjithmonë më ka shkaktuar dy ndjesi, krejt të ndryshme. Mërzi dhe pakënaqësi që ditëve të pushimit dhe lojërave u erdhi fundi – dhe unë i përkas një brezi që ditët e pushimit i shijonim në maksimum, pa video-lojëra e kompjuterë, por me topa-lufte e kukafshehthi.
Ndjesia e dytë ishte gjithmonë pozitive, me një lloj padurimi për të nisur shkollën, arsyet e të cilit pastaj ndryshonin në varësi të moshës. Si për dreq, sot, në ditën e parë të shkollës për vitin 2013-2014, edhe koha me shi nuk pranon ta bëjë më të lehtë kthimin e fëmijëve në shkollë.
Le të jemi të sinqertë, sado të mirë të jenë në mësime, të gjithë fëmijët e kanë të vështirë kthimin në shkollë pas një periudhe tremujore. Madje edhe titullin e shkrimit të sotëm e ka vënë fëmija i një mikeshës sime, i cili, pasi e urova për suksese, me pafajësi dhe çiltërsi më tha: Ndihmë!
Sikur ta lëmë shkollën për javën tjetër?! Dhe më shikonte me sy lutës, a thua se unë mund t’ia bëja dëshirën realitet. Gjithsesi, ky është vetëm një moment transiti, është pak e vështirë të kalosh nga liria e ditëve të verës në oraret e përcaktuara të strukturës arsimore. Por një gjë është e sigurt: ia vlen!
Prindërit e dinë këtë dhe sigurisht që edhe fëmijët do ta kuptojnë një ditë dhe do t’u jenë mirënjohës për këmbënguljen e tyre. Nuk ka asgjë më të mirë sesa edukimi dhe arsimimi, që u jep fëmijëve fondin e duhur për të ardhmen e tyre. Edukimi është arma më e fuqishme që njerëzimi mund të përdorë për të ndryshuar botën.
Një shoqëri e civilizuar dhe me të ardhme të sigurt mund të jetë vetëm ajo e ndërtuar nga njerëz të arsimuar. Dhe edukimi nis që në ato bankat e vogla, nis që në atë moshën kur lojërat padyshim të duken më të ëmbla sesa të dëgjosh mësuesen të flasë për numra e germa.
Një njeri i mençur ka thënë se edukimi është pasaporta për të ardhmen. Shkolla është vendi ku fëmijët tanë e përgatisin këtë ardhme.Sot është dita e parë e shkollës! Uroj të gjithë fëmijët një nisje të lehtë të vitit shkollor dhe një vit të mbarë!Dhe nëse nuk e dini ende, në botimishqip.com gjeni të gjithë librat shkollorë nga të gjitha shtëpitë botuese! ?