skip to Main Content

Në çantën e udhëtimit…

images (1)

Në stinën e pushimeve, libri gjithmonë është një mik i mirë që të shoqëron dhe që nuk duhet të mungojë në bagazhet tuaja. Shumë njerëz mendojnë se një udhëtim është gjithmonë më i mirë nëse në valixhe ka diçka për të lexuar. Përgjithësisht, librat më të lexuar në  stinën e verës janë librat rozë, pra romancat, si dhe librat e zhanrit triller. Më pak të preferuar mbeten poezitë dhe librat historikë.

Këtë vit, nga një vëzhgim i deritanishëm kemi vënë re se më të preferuarit janë romanet, ndërkohë që shumë kërkesa ka për libra për fëmijë. Një nga librat më të preferuar deri tani është “Dhe malet oshtinë”; e kuptueshme pas suksesit ndërkombëtar të Khaled Hosseinit me “Gjuetari i balonave” dhe “Njëmijë diej vezullues”.

Një tjetër roman i pëlqyer është “Princesha” – një roman tronditës nga Jean Sasson, historia e vërtetë e një jete fshehur pas perçes brenda Familjes Mbretërore të Arabisë Saudite.

“Delikatesa” nga David Foenkinos, shqipëruar nga Edmond Tupja, fitues i 10 çmimeve letrare, përkthyer në 30 gjuhë të botës, është një tjetër libër i kërkuar për këtë sezon.

Nga librat më të fundit që janë hedhur në treg nga shtëpitë botuese vlen të veçohet “Alef” i Paulo Coelho, një prej autorëve më të rëndësishëm të letërsisë botërore, si dhe “E lidhur ngushtë me ty” i Sylvia Day, roman i serisë “Crossfire” dhe një bestseller ndërkombëtar. Libri vlerësohet si një romancë erotike që nuk duhet humbur, si një histori me ngarkesë të madhe emocionale dhe një rrëfim që të bën t’i shfletosh faqet me rrëmbim.

Personalisht, gjatë një fundjave në bregdet pas një muaji të lodhshëm pune preferova një roman të një autori bashkëkohor spanjoll, një triller përzierë me fantazi e mister, me ngjarje paralele në Barcelonën e kohës së luftës e pas saj. Por për atë roman do të shkruaj një ditë tjetër, pasi të mbaroj edhe librin e fundit të trilogjisë.

Pavarësisht shijeve të gjithsecilit, librat e thjeshtë, përthithës, që nuk të lodhin janë zgjedhja e duhur për të kaluar ditën në breg të detit. Leximi i një libri gjatë pushimeve në plazh nuk është asnjëherë ide e keqe.