Një botim i ri dhe një ekspozitë fotografie në 78-vjetorin e lindjes së Kadaresë
Javën e kaluar, shkrimtari i njohur Ismail Kadare bëri 78 vjet, një ditëlindje e kremtuar me anë të një sërë aktivitetesh kulturore, një prej të cilave ekspozita e fotografike e Vaso
Samsurit në ambientet e UET-së.
“Kadare rreth liqenit të Ohrit” titullohej ekspozita me mbi 40 foto nga arkivi personal i Vaso Samsurit, një ekspozitë që zbulon copëza të jetës të shkrimtarit në ngjarje dhe vizita të veçanta në Pogradec, Tushemisht, Ohër, Shën Naum…
Vaso Samsuri e ka njohur Kadarenë në vitet ’60 në Pogradec, ku i bashkonin bisedat për Lasgush Poradecin.
“Me këtë ekspozitë dua të tregoj se, ashtu siç është shkrimtar i madh, ai është edhe njeri i madh” – tha z. Samsuri.
Ismail Kadare është kthyer vazhdimisht rreth liqenit të Ohrit dhe Vaso Samsuri, në këto vite, ka fiksuar çaste të veçanta në foto.
Ndërkohë, shtëpia botuese “Onufri” do të botojë këtë fillimshkurt një roman të panjohur për publikun, i titulluar nga Kadare “Mjegullat e Tiranës”. Libri është shkruar në vitin 1958, kur Kadare ishte vetëm 22 vjeç.
Lajmi u bë i ditur nga botuesi i Kadaresë, Bujar Hudhri, me rastin e 78-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.
Libri flet për një histori dashurie mes dy të rinjsh studentë. Për 56 vite dorëshkrimi i romanit ka qëndruar në sirtarët e shkrimtarit të njohur.