Novela e vetme e Çarli Çaplin botohet për herë të parë
E vetmja pjesë fiksioni e shkruar nga Çarli Çaplin, një novelë e trishtë dhe nostalgjike, që ka mbetur e papublikuar për mbi 60 vjet, do të botohet për herë të parë.
Pjesa në prozë përbëhet nga 34 mijë fjalë dhe nga ajo është bazuar dhe një film i njohur i Çaplin. Novela tregon historinë e një klouni të alkoolizuar, Kalvero, dhe një balerine të cilën e shpëton nga vetëvrasja.
Filmi, ku Çaplin luan rolin e Kalveros dhe Kler Blum rolin e balerinës, është filmi i fundit amerikan që mundi të realizonte përpara se të dëbohej nga vendi me akuzën e përkrahjes së ideve komuniste.
Novela është shkruar në vitin 1948 dhe e trajton historinë më në thellësi, duke hedhur dritë edhe mbi gjendjen shpirtërore dhe mendore të autorit në atë kohë. Dorëshkrimi kishte mbetur në arkivin e artistit për vite të tëra. Në të përshkruhet më me hollësi marrëdhënia e artistit me publikun, duke e bërë një histori të një komediani që ka humbur publikun e vet.
-Unë e di që jam argëtues,– thotë Kalvero, – por menaxherët mendojnë se koha ime ka kaluar. Shumë mirë! Do të jetë e mrekullueshme kur të detyrohen t’i marrin mbrapsht fjalët që kanë thënë. Kjo është ajo që urrej nga plakja: indiferenca e treguar nga teje!”
Çarli Çaplin nuk po kalonte një moment të mirë në kohën që shkroi pjesën. Ai nuk e mendoi kurrë botimin e kësaj pjese; ishte diçka absolutisht private, të cilën e shkroi për veten e tij.
Megjithatë, dekada më vonë, është koha që kjo novelë të bëhet e njohur për publikun që ndoqi dhe adhuroi punën e artistit të madh.