skip to Main Content

“Penda e argjendtë” vlerësimet për letërsinë shqipe

20131209144803724600

Çmimet letrare “Penda e argjendtë” nuk kaluan pa polemika. Që në momentin e shpalljes së kandidaturave, figura të njohura të letërsisë e kritikës letrare shprehën rezervat e tyre dhe pakënaqësinë për mënyrën e ndarjes së çmimeve.

Këtë javë, Ministria e Kulturës ndau çmimet letrare si dhe çmimin për gazetarinë kulturore të shkruar “Teodor Keko”, duke njoftuar se nga viti tjetër do të ndryshojë formula e çmimeve.

“Duke filluar nga viti tjetër jemi të mendimit që me fondet publike dhe në emër të një politike kulturore që duhet të nxisë cilësinë letrare, do të jepet vetëm një çmim për veprën letrare më të mirë shqipe të vitit, që do të përzgjidhet nga një juri kritike profesioniste, e pavarur nga zyrtarët e ministrisë,”- tha ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Nga ana tjetër, vlerësime stimuluese të fushave të ndryshme të krijimtarisë dhe kritikës letrare dhe nisma nxitëse do të shtjellohen gjatë vitit në një kalendar letrar që do të shënjojë momente të ndryshme, siç është dita botërore e librit, dita botërore e përkthimit, panairi i librit etj,

Sipas saj, viti 2014 do të jetë padyshim një vit me risi dhe politika nxitëse për krijuesit e letrave, autorët dhe përkthyesit.

Romani “Valsi i lumturisë”, i autorit Ylljet Aliçka, ishte  fitues i çmimit “Penda e argjendtë” për romanin në vitin 2012, me motivacionin “Për ironinë e spikatur dhe përsosjen e saj deri në grotesk dhe imazhet e gjalla në rrëfim të kapërcyellit të kohërave.”

Fitues i çmimit “Penda e argjendtë” për tregimin në vitin 2012 ishte vëllimi me tregime“Perla”, i  autorit Ardian-Christian Kyçyku. Fitues i çmimit “Penda e argjendtë” për poezinë në vitin 2012 ishte vëllimi poetic “Një ballkanas në Londër”, i autorit Rudolf Marku.

Çmimin e autorit më të mirë debutues e mori Darien Levani për romanin “Poetët bëjnë dashuri ndryshe”, ndërsa përkthimi më i mirë u vlerësua “Delfini” i autorit Robert Lowell, përkthyer në shqip nga Parid Teferiçi.