skip to Main Content

Për t’u lexuar: Dhe malet oshtinë

Khaled-Hosseini5-22

Ende pa u publikuar, libri “Dhe  malet oshtinë” ishte përfolur aq shumë sa ishte kthyer në një  ngjarje letrare. Pas suksesit të jashtëzakonshëm të librave të mëparshëm, “Gjuetari i balonave“ dhe “Njëmijë diej vezullues”, ishte i madh kurioziteti për prurjen më të re të shkrimtarit Khaled Hosseini.

Dy librat e parë të tij u shitën në miliona kopje në të gjithë botën dhe u vlerësuan nga kritika. Për herë të parë, njerëzit patën mundësi të njihnin Afganistanin jo vetëm nga reporterët e luftës dhe kronikat televizive. Hosseini, nëpërmjet librave të tij, i bëri të njohur botës atë çka ndodhte me njerëzit e thjeshtë në Afganistan, para dhe pas luftës.

Romani “Dhe malet oshtinë” fillon me rrëfimin interesant të një babai që u tregon fëmijëve të tij, Abdullait dhe Pahrit, një histori që lidhet drejtpërdrejt me udhëtimin e tyre për në Kabul, me arsyen e rreme që i ati të gjente një punë atje; do ndërtonte një dhomë miqsh në shtëpinë luksoze të punëdhënësit të kunatit të tij, Nabit. Në fakt, babai i tyre e shet Pahrin në Kabul, në një përpjekje të dëshpëruar për të siguruar para për fëmijët e tjetër.

Nabi, daja i fëmijëve, ishte njeriu që i sugjeroi kunatit të tij t’ua jepte Pahrin punëdhënësve të tij, zotit Vahdati dhe të shoqes, Nilës, me të cilën ishte i dashuruar. Një veprim për të cilin Nabi do të vuajë tërë jetën.Pasi zotit Vahdati pëson një ishemi, Nila largohet për në Paris me Pahrin, duke e lënë të shoqin vetëm. Vite më vonë, Nila, në gjendje të rënduar depresive, vret veten.

Ngjarjet zhvendosen sërish në Afganistam me dy kushërinj afgan që kishin emigruar në Amerikë dhe që kthehen për të marrë pronat e tyre. Në fund të librit, Abdullah dhe Pahri gjenden në Amerikë, por është shumë vonë për Abdullain, i cili, i sëmurë me Alzhaimer, nuk e njeh të motrën. Vetë autori është shprehur se e ka menduar idenë kryesore të romanit kur u kthye në Afganistan, në 2007, për të vizituar refugjatët afganistanas të rikthyer në atdhe.

Nga ajo çfarë pa dhe intervistat që bëri arriti të ndërtonte një pjesë të ngjarjeve të romanit. Gjatë qëndrimit në Afganistan, ai mësoi se  dimrat e ashpër të Afganistanit trokisnin në shtëpitë e fshatarëve të varfër dhe gjithmonë merrnin jetë njerëzish: fëmijë, pleq, të sëmurë e invalidë; ashtu siç morën jetën e vëllait të Abdullait dhe Pahrit që në fillim të librit.

Në këtë roman, një dramë njerëzore, autori i nxjerr lexuesit përtej Afganistanit, drejt  Europës dhe Amerikës, ku e shkuara dhe e tashmja janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme. Autori ka zgjeruar mjedisin social, kulturor dhe gjeografik të personazheve, për t’i dhënë një nuancë më globale historisë.  Libri në përgjithësi mori kritika të mira. “Los Angelos Times” e cilësoi si të trishtuar e të rëndë, por plot dashuri, ndërsa “New York Times” e vlerësoi si një rrëfim mjeshtëror.   ?