skip to Main Content

Për t’u lexuar: “Moderato cantabile”

m261pnzy

Përse një grua e lirë si Marguerite Duras duhet të zbulojë vetminë e fshehur të një gruaje tjetër? Kjo është një nga pyetjet që kritikët kanë ngritur pas leximit të librit “Moderato cantabile”. Por pasi është njohur me ndjenjën e pasionit dhe dashurisë, ajo e fsheh sërish këtë ndjenjë dhe kthehet në shtëpi tek i shoqi…

“Moderato cantabile” është një libër i shkurtër, ku shpërfaqet gjithë talenti dhe karakteri i Duras. Edhe pse Duras është shprehur gjithnjë se nuk ka shkruar për jetën e saj, brendësia e personazheve të kujton shpesh shkrimtaren në momente të ndryshme të jetës. Ky libër ka detaje të shumta nga jeta e shkrimtares, e cila ka pasur probleme me alkoolin, duke bërë që përshkrimet në libër të personazhit kryesor, Anës, duke pirë verë, të jenë shumë të realizuara.

Duras ka një stil shumë të veçantë të të shkruarit, në fillim i vrazhdë dhe i thatë, por ndryshon papritur në kapitullin VII, ku ngjyrat dhe ndjenjat e tregimtarit janë shumë më të qarta.

Një nga aftësitë më të mëdha të kësaj shkrimtareje është përshkrimi i personazheve. Në qendër të këtij libri është Ana, një grua franceze në fund të viteve ‘50. Në libër tregohet për raportin e saj me Shovinin, një burrë që i përket klasës punëtore, i papunë në çastet e ngjarjes, që e kalon kohën në një kafene afër apartamentit ku djali i Anës ndjek leksionet e pianos. Ana dhe Shovini do të fillojnë të njihen, por më pas, ajo kthehet në rehatinë e shtëpisë së saj të madhe, e cila në vetvete përfaqëson ndarjen sociale midis klasës së mesme dhe asaj punëtore.

Romani u kthye në film në vitin 1960 nga Peter Brook, me aktorët Jean-Paul Belmondo dhe Jeanne Moreau. Kjo e fundit, me rolin e Ana Debaredës, fitoi çmimin si “Aktorja më e mirë” në

Festivalin e Filmit të Kanës.

Marguerite Duras ka lindur më 4 prill 1914 dhe u nda nga jeta më 3 mars të vitit 1996. Ajo konsiderohet si një nga shkrimtaret më të rëndësishme franceze, e cila me shkrimet e saj dha një frymë bashkëkohore në letërsinë franceze.