Shkrim pornografik? “Ditari” i Ana Frank shkakton polemika
Ana Frank, adoleshente, mbante ditar gjatë kohës që, së bashku me familjen e saj, u fshiheshin nazistëve. Jo për shumë kohë…Ana u dërgua në një kamp përqendrimi, nga i cili nuk u kthye më kurrë. E megjithatë, emri i Anës njihet në të gjithë botën për shkak të ditarit të saj, të shitur në miliona kopje.
Por… muajin e kaluar, disa prindër në Amerikë kërkuan që ditari i Frank të hiqet nga programi mësimor, me arsyetimin se përmban elemente pornografike. Kjo çështje është ngritur për shkak të një pasazhi, ku Ana shkruan për anatominë e trupit të saj, në veçanti të organit gjenital. Sipas prindërve, nuk është e përshtatshme që mësuesit t’u japin fëmijëve materiale të tilla, pasi është detyra e prindërve t’u japin fillimisht fëmijëve informacione mbi seksin.
Ndërkohë, disa organizata janë ngritur në mbrojtje të ditarit të Frank, duke argumentuar se ai është njëkohësisht aktual për nxënësit e sotëm dhe i vlefshëm nga ana pedagogjike.
Sipas tyre, letërsia ndihmon në përgatitjen e studentëve të ardhshëm, duke u krijuar mundësi të shqyrtojnë çështje me të cilat mund të përballen në jetë. Një edukim i mirë varet nga mbrojtja e të drejtës për të lexuar.
Nuk kanë mbetur indiferentë kritikët letrarë, të cilët janë vendosur në mbrojtje të tekstit në kurrikulat shkollore.
Me argumente, shumë prej tyre sqarojnë se nxënësit që lexojnë këtë libër janë vetëm një vit më të vegjël sesa Ana kur e shkroi dhe, ashtu sikurse Ana para shumë vitesh, janë kuriozë për ndryshimet në trupin e tyre dhe për zbulimin e seksualitetit.
Ana Frank jetoi për 2 vjet e gjysmë në fshehtësi, duke përjetuar çdo ditë frikën për jetën e saj, e megjithatë ajo ishte një adoleshente që rritej fizikisht dhe përjetonte emocionalisht.A mund të jetë pornografik një libër ku një adoleshente përshkruan trupin e saj?Pa dyshim që jo!?