skip to Main Content

Shtatori i librave për fëmijë

femije

Me fundin e gushtit duket se i kemi dhënë lamtumirën verës për këtë vit. Pavarësisht temperaturave të larta, ditët e plazhit lihen pas. Dje ishte 1 shtatori, dita kur dikur fëmijët nisnin shkollën.  Edhe pse kanë ende disa ditë në dispozicion për t’ua kushtuar lojërave, shtatori është muaji parapërgatitor për vitin e mësimeve. Dhe në këtë shkrim do të merremi pikërisht me fëmijët e  moshës 9 – 12 vjeç.

Doni të inkurajoni fëmijët tuaj të lexojnë libra, të lënë mënjanë lojërat elektronike dhe të mësojnë të lexojnë në mënyrë të pavarur? Kjo është periudha më e mirë dhe, për t’ju ndihmuar, kemi përpiluar një listë me libra të rinj dhe klasikë për fëmijë.

1. Librat kult për fëmijë, librat me të cilët janë rritur breza të tërë fëmijësh në Shqipëri. Seti i librave të të mirënjohurit Gaqo Bushaka me aventurat e Çufos. Janë të shkruar bukur, plot aventura dhe sigurisht edhe me mesazhe. “Çufo dhe Bubi Kaçurrel” mbetet më i dashuri i fëmijëve.

2. “Njëmijë e një net – Simbad Detari”. Përrallat e mrekullueshme të “Njëmijë e një net” janë klasike dhe me aventura të mrekullueshme – të adhuruara nga fëmijët në të gjithë botën.

3. Seria “Këtu nis mençuria” – libra edukativë për fëmijët tuaj.

4. “Piter Pan” – E kush nuk e njeh fëmijën e përjetshëm?! Në të vërtetë, të rinj e të vjetër, në momente të caktuara të gjithë jemi nga pak Piter Pan. Aventurat e djaloshit të shkathët të mbajnë mbërthyer deri në faqen e fundit.

5. Seti i librave “Burimi i dijes” – libra me kuriozitete të vlefshme për lexime jashtë klase.

6. “Aventurat e Hakëlberi Finit” – bashkë me “Aventurat e Tom Sojerit” janë ndër klasikët për fëmijë. Hakëlberi Fin me aventurat e tij është përfshirë në çdo listë prestigjioze të librave më të mirë – jo vetëm për fëmijë – të shkruar ndonjëherë.

7. “Paraja dhe tregtia” dhe “Fitimi i parasë” . Në këta libra fëmijët mësojnë se çfarë është ekonomia, pse duhet të punojmë dhe si duhet ta përdorim paranë.

Dhe në fund: Çdo libër i Zhyl Vernit!?