skip to Main Content

Të biesh në dashuri…

timthumb

Askush nuk bie në dashuri nëse është plotësisht i kënaqur me ato që ka dhe me atë që është,- të paktën kështu mendon profesori i njohur Francesko Alberoni në studimin e tij mbi rënien në dashuri, që konsiderohet si më i miri që pas “Dashuria” të Stendalit.

Në librin “Rënia në dashuri dhe dashuria”, Alberoni merret me ato momentet e shkurtra që na përfshijnë para se të biem në dashuri. Ai mundohet të zbërthejë ato forca që ndikojnë veprimet tona në këtë fazë.

Për shumë njerëz, libri i Alberonit ka mjaft elemente të vërteta. I shkruar me një gjuhë gati poetike, edhe pse me shpjegime psikologjike e sociologjike, autori arrin ta transportojë lexuesin në kohë dhe vende të ndryshme.

Të biesh në dashuri, sipas autorit, është një eksperiencë universale; është takimi jo vetëm mes dy shpirtrave, por edhe mes dy mendjeve.

Libri është shkruar për të gjitha moshat dhe sekset. Thelbi i tij është se rënia në dashuri ndodh si rezultat i pakënaqësive individuale, që do të thotë, një njeri bie në dashuri atëherë kur ndihet i pasigurt në vete. Ne biem në dashuri kur përpjekjet tona për të shpëtuar marrëdhëniet e mëparshme kanë dështuar dhe ndihemi gati për ndryshim. Ky është momenti i një faze të re, ajo e dashurisë “në lindje e sipër”.

Për të sqaruar teorinë e tij, Alberoni sjell shembullin e adoleshentëve dhe dëshirës së tyre të madhe për t’u pranuar, një dëshirë që përkthehet me rënien në dashuri. Për shumicën e njerëzve, adoleshenca është periudha me momentet më të turbullta e njëkohësisht më të bukura. Gjatë kësaj faze të jetës, ne jemi në shumicën e kohës të pasigurt në çdo gjë dhe në të njëjtën kohë më të prirur për të dashuruar. Sipas Alberonit, një gjë e tillë nuk është thjesht koincidencë.

Çfarë do të thotë të biesh në dashuri? Çfarë ndodh me ne? Ku na çon kjo ndjenjë dhe më e rëndësishmja, si arrijmë atje? Libri i Alberonit është më shumë një studim sesa guidë. Në këtë rast, konkluzioni i studimit të tij del nga nevoja njerëzore për të përmirësuar ekzistencën.

“Rënia në dashuri dhe dashuria” është një pjesë unike e letërsisë. Me formimin e tij akademik, Alberoni bën analiza por në të njëjtën kohë, nëpërmjet këtij libri, përcjell shpresë.