skip to Main Content

Të frikshëm për t’u përshkruar – librat horror që meritojnë vëmendje

happy-halloween-house-wallpaper

Javën e kaluar, lokalet e Tiranës u thyen në vende organizimi të një feste të importuar. Halloween është një festë tipike amerikane, por që prej disa vitesh festohet edhe në Tiranë (?). Nuk e kam kuptuar asnjëherë arsyen e festimit në vendin tonë – dhe të kuptohemi nuk dua të gjykoj askënd – mbase ngaqë thelbi i festimeve është maskimi, kostumet nga më të çuditshmet – sa më të frikshme, aq më mirë – që ka ndikuar në adaptimin e festës.

Ditët e fundit të javës që lamë pas, faqja ime e Facebook-ut u mbush me foto të njerëzve të veshur e lyer si për Halloween. Dhe ishin pikërisht këto foto që më dhanë idenë për shkrimin e kësaj jave. Më poshtë kam renditur disa nga librat më të frikshëm, ata që klasifikohen në zhanrin horror dhe që shumë prej nesh nuk i lexojmë kur jemi vetëm në shtëpi.

Kur flasim për libra të frikshëm, askush nuk krahasohet me Stefën King. Ai është mjeshtri i letërsisë horror, disa nga librat e tij janë realizuar në filma shumë të suksesshëm. Një nga librat e tij më të mirë është “Celulari”.

Edgar Alan Po është mbase “babai” i letërsisë horror. Vetë King është shprehur se Alan Po ka ndikuar shumë në formësimin e tij si shkrimtar. Tregimet e tij të mistershme i kam lexuar vonë, kur isha studente, pikërisht sepse për shijen time ishin shumë të frikshme. Por, po është një shkrimtar i magjishëm. “Tregime imagjinare dhe të mistershme” është një libër që duhet lexuar. ?

“Frankeshtajn” është kryevepra e Mary Shelley dhe një nga librat më të njohur që i ka rezistuar kohës. Viktor Frankeshtajni mendon se ka gjetur të fshehtën e jetës; me pjesë të ndryshme kufomash ai i jep jetë një qenieje të re, që në fakt është një përbindësh.

“Drakula” – libri që ka frymëzuar ndër vite dhjetëra realizime filmike. I pari i llojit të vampirëve, si u kthye në monstër dhe mitet që qarkullojnë për të.

Duke qëndruar te vampirët (personazhe shumë në modë vitet e fundit), vjen saga e vëllezërve Salvatore në tre librat “Ditari i vampirit”, nga është frymëzuar edhe një seriali hit me të njëjtin titull.

“Lojërat e urisë” – si mund të mos jetë i frikshëm dhe traumatik një libër ku personazhe kryesorë janë disa fëmijë që detyrohen të ndeshen me njëri-tjetrin deri në vdekje, derisa të mbetet vetëm njëri prej tyre?!

“Rruga” nga Cormac McCarthy. Ju mund ta quani këtë libër një lloj fantazie post-apoliptike, por në fakt ky roman ka kaq shumë elemente terrori sa të klasifikohet pa problem mes librave të frikshëm. Është historia e një babai dhe djalit të tij, që ndërmarrin një udhëtim pas kataklizmës globale.

–   “Metamorfoza” – Franz Kafka. Gregori Samsa zgjohet një mëngjes dhe shikon se është shndërruar në një kandërr gjigante. Kaq mjafton! Një shkrimtar anglez i zhanrit horror ka thënë se njerëzit që lexojnë horror janë më të shëndetshëm mendërisht sesa ata që e refuzojnë këtë zhanër.

Sipas tij, në libra të tillë njerëzit ndërmarrin një udhëtim drejt çdo lloj frike të mundshme dhe kur kthehen, janë të lirë nga çdo makth.?