skip to Main Content

Të lexosh nën çadër…si VIP-at!

Images

Ditët e fundit të këtij muaji po marrin me vete edhe nxehtësinë e madhe, që të largonte dëshirën ndaj impenjimeve profesionale. Kushdo mendjen e kishte tek pushimet. Edhe ata që i kishin plotësuar ditët, gjenin këtë justifikim për t’iu larguar kryeqytetit, të paktën në fundjavë.

Pyeteni pak veten se çfarë do të mbani mend nga kjo verë? Cilat ishin momentet që ju shijuan më shumë, nën çadrën e madhe shumëngjyrëshe? Besoj tashmë e keni marrë përgjigjen: leximi i librave!Në këtë shkrim do t’ju njohim me disa personazhe, që edhe pse fotot e tyre, të postuara në rrjetet sociale, nuk na tregojnë kopertina librash, janë dashamirës dhe kanë shfletuar mjaftueshëm sa për të sugjeruar.  

Juli Krisafi: “Shumica e meshkujve nuk lexojnë fare” Moderatorja simpatike e edicioneve informative në ekranin e madh të “Top Channel”, ka hequr xhaketën! Mos prisni çudira, sepse edhe Juli Krisafi shkon në plazh, kujdeset për familjen dhe përpiqet ta mbushë bukur kohën e lirë.

Për të lexuar preferon më shumë dimrin, sepse i duket më intim për shkak të motit. Pëlqen letërsinë historike, filozofike, por nuk përjashton romanet rozë, në fokusin e të cilave janë historitë e dashurisë. Femrat priren drejt këtyre historive, të cilat ndonjëherë janë aq komerciale, sa bëhen të palexueshme. “Këtë verë mora disa libra, por përfundova vetëm dy: “Edhe malet oshëtijnë” të Khaled Hossein dhe nga Richard David Precht zgjodha rrugëtimin filozofik me titull “Kush jam unë dhe nëse po, sa shumë”!- e nis rrëfimin Juli.

Na e rekomandon këtë të fundit, sepse është tepër i dobishëm, sigurisht për ata që arrijnë ta interpretojnë. Më se e kuptueshme që letërsia shqiptare nuk bën pjesë në gustot e saj, ama nuk i përjashton kategorikisht. “Do të veçoja librat e avokat Ngjelës apo të gazetarit Ilir Ikonomi, librat e Blend Fevziut e të Ben Blushit”, – tregon haptazi. Nuk interesohet shumë për kopertinën dhe pjesën estetike, sepse ajo është e rëndësishme derisa nis të kalosh faqet. Një libër duhet t’i mbushë syrin, të jetë voluminoz dhe të rezistojë sa më gjatë.

Po meshkujt nën optikën e spikeres Krisafi, çfarë raporti kanë me të lexuarin? “Mendoj se meshkujt lexojnë më pak. Ekziston një kategori që lexon cilësisht, por është numër shumë i vogël. Shumica e meshkujve nuk lexojnë fare”,- e përmbyll këtë diskutim me buzëqeshjen e saj tipike. Ky është rasti që duhet marrë shembull, që tregon se leximi na pasuron mendjen dhe zemrën.

Floriana Garo: “Ana Karenina mbetet i preferuari im…” Një ndër aktivitetet e preferuara është të lexuarit në plazh, në mëngjes dhe pasdite kur dielli nuk është shumë i fortë për ta penguar. Ambicia e një vajze të suksesshme zbulohet edhe nga zhanri që përzgjedh: “Më pëlqejnë shumë biografitë dhe autobiografitë e njerëzve të mëdhenj dhe me ndikim. Por nuk mbeten pas edhe librat artistikë”, – pohon e mrekullueshmja Floriana Garo.

Madje na zbulon se në të ardhmen e largët do të shkruante me kënaqësi historinë e jetës së saj. Këtë radhë, me shumë zell, na përmblodhi në pak rreshta librin e fundit që kishte shfletuar, duke ua sugjeruar të gjithëve. “Xhevahiri i Medinës” flet për Aishen, gruan e preferuar të profetit Muhamed. Aisha martohet me të në moshën 12-vjeçare dhe duhet të përshtatet me jetën e vështirë të haremit e të qytetit konservator, në një kohë kur gratë konsideroheshin pronë dhe nuk kishin fare të drejta.

Falë zgjuarsisë së saj arrin të bëhet gruaja më me influencë në harem dhe të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm tek profeti. Patjetër që ngjarjet ndjekin njëra-tjetrën dhe nuk të lënë as të “marrësh frymë”, sepse kurioziteti se si vijon rrjedha e tyre nuk të bën të shkëputesh. Gjithsesi, Floriana e ka një zgjidhje: “Unë i blej librat në version elektronik, në anglisht, dhe i lexoj në IPad.

Në këtë mënyrë kam shumë më tepër zgjedhje dhe ndihem mjaft komode. Megjithatë, e vërteta është se ndjesia e shfletimit dhe aroma e librit të botuar është e pakrahasueshme”, – pohon me bindje. Miss-i me tipare mesdhetare eksperimenton me autorët, nuk përjashton të rinjtë që i ofrohen nga tregu. Gjithsesi, në majë të klasifikimit mbetet Leon Tolstoi me kryeveprat e tij, “Anna Karenina” dhe “Lufta dhe Paqja. “E kam dashuruar mënyrën e tij paradoksale dhe moraliste të të shkruarit. Gjithashtu më pëlqen shumë F. Scott Fitzgerald, të cilin e ngre në piedestal për veprën “The Great Gatsby””,- përfundon Garo.

Aurela Hoxha:  “Në kërkim të vetvetes si Paulo Coelho”
“Asgjë nuk mund ta zëvendësojë librin, është një botë në të cilën dua të humbas dhe gjej qetësi çdo moment. Të lexuarit është kënaqësia ime më e madhe, kur gjej kohën të përqendrohem dhe të ”jetoj” një histori të re”, – nis vrullshëm të rrëfejë. Aurela Hoxha, vajza e ekranit dhe pasarelave, ka në dorë një roman nga Paulo Coelho, nën titullin “Alef”. Fakti që i pëlqen të udhëtojë dhe të lëvizë shpesh ka kushtëzuar zgjedhjen e saj.

Në fokus të romanit vendoset autori dhe rrugëtimi i tij, në kohë e hapësirë, në tre kontinente: Europë, Afrikë dhe Azi. Gjithnjë në kërkim të vetvetes ka krijuar një raport varësie me librat, përpiqet të mos humbasë botimet e reja dhe interesante. Zgjedh sipas gjendjes emocionale të momentit, duke mos nënvlerësuar sugjerimet e njerëzve të dashur apo librat e dhuruar. Për Aurelën nuk është kurrë vonë për të njohur një “mik” të mirë. “Kam parë filma, historitë e të cilëve i kam lexuar më parë dhe jo gjithmonë jam zhgënjyer.

Them jo gjithmonë, pasi në të shumtën e rasteve më kanë pëlqyer, ashtu si i kam ndërtuar në kokën time, më tepër sesa një skenar regjisorial”, – përgjigjet lidhur me efektin video të një historie të shkruar nga autorë të mëdhenj. Po vetë mendon se do bëhet një ditë shkrimtare? Fakti që na tregoi se i pëlqen të mbajë kujtime të shkruara lë vend për dyshime. E sigurt që ne do i lexonim me kënaqësi, nëse Aurela Hoxha do na e japë ndonjëherë këtë “mundësi”! Mendoje seriozisht se vetëm hera e parë duket e largët…

Arbër Çepani: “Nuk më interesojnë librat e politikanëve shqiptarë…”Në shtëpizën e ngrohtë, pranë oxhakut dhe i veshur trashë, kur jashtë fryn e bie shi…kjo është panorama magjepsëse që e shtyn të lexojë Arbër Çepanin. “Në verë njeriu duhet të shijojë natyrën dhe jetën aktive”, – nis të na tregojë. Libri ka qenë shok i kudogjendur, qysh nga fëmijëria e hershme. Veçon ata me karakter historik, sidomos nga antikiteti shqiptar.

Ndërsa kur vjen puna për të sugjeruar: “ Emri i tij ndoshta është bërë pak më komercial seç duhet, por për mua Dan Brown, që ndërthur literaturën historike me një vel misticizmi, mbetet zgjedhja e duhur. Tre tituj që njerëzit ndoshta nuk i njohin prej këtij autori janë: “Cripto”, “E vërteta e akullit” dhe libri i fundit “Ferri”.  Çdo libër është një vlerë e patjetërsueshme për mendjen e njeriut. Ashtu sikurse letërsia shqiptare apo e huaj është një vlerë, që përtej preferencës të rrit kulturalisht”, – thotë ai.

Ky djalë ka një diapazon të gjerë njohje dhe dije, ndaj kur vjen puna te librat e politikanëve tanë shprehet thjeshtësisht: “Ka aq shumë bombardim informacioni mediatik të përditshëm për politikanët tanë saqë… larg qoftë o Zot, të paktën mos i lexojmë edhe në libra grindjet dhe sharjet e tyre!”  Librat i paralelizon me dashuritë e njerëzve: kur e sheh që të pëlqen qysh në fillim të shtyn ta përfundosh sa më shpejt. Ndërsa po nuk të tërhoqën as faqet e para, vështirë se do lindë ndonjë dashuri mes teje dhe librit.

Mesazhi i fundit tingëllon fuqishëm, për të na u ngulitur mirë në mendje: “Duke përfituar kulturë nëpërmjet librave shpejt kuptojmë që kemi përfituar gjithçka na duhet, për një mendje të shëndoshë. Edhe Kazanova lexonte shumë libra, ju bën më tërheqës në sytë e seksit të kundërt”. Komplimente Arbër!

Ermal Merdani: “Librat më kanë ndihmuar në raportin me femrat” Një djalosh në karrierë, që nuk i ka mjaftuar etiketa “i bukur”! Ermal Merdani kërkon nga vetja dhe një komponent i rëndësishëm i ditës së tij është të lexuarit. “Mendoj se çdo moment është i përshtatshëm për ata që e dashurojnë librin. Gjithsesi, në verë nuk ke shumë impenjime të tjera dhe të jepet mundësia të lexosh më tepër.

Personalisht, në këtë periudhë i jap kënaqësinë vetes të lexoj edhe ndonjë roman, për t’u shkëputur disi nga letërsia me karakter politik”,- shprehet ish-mister Albania. Na rendit pa nguruar disa tituj të preferuar, si : “Komploti botëror” nga Nikola M.Nikolov, “Ftesë në studio” nga Ismail Kadare apo “Lugina e kullave” nga Jacqueline Susann. Emri i autorit ka një rëndësi të veçantë për Ermalin, ndërsa librat voluminozë nuk bëjnë pjesë në valixhen e tij të udhëtimit.

Duke realizuar një lloj kategorizimi gjinor mbi të lexuarin, pohon: “Është normale që femrat tërhiqen nga historitë e dashurisë, romanet rozë, ndërsa meshkujt anojnë më tepër nga letërsia historike, romanet thriller, politikë”.  Si në jetë, që u shkon gjërave deri në fund, asnjë libër nuk mund ta lërë përgjysmë. Nga eksperienca edhe librat më të mërzitshëm, në faqet e para kanë rezultuar me një fund interesant. E teksa e dëgjon të flasë me kaq dëshirë për librat, mendja të shkon te femrat që e lakmojnë Ermalin.

Përveç formave të shkëlqyera fizike, atë e ndihmon të lexuarit. “Librat të bëjnë më orator. Madje është mirë të lexosh dhe romane të tipit: “Pesëdhjetë hijet e Greit” apo “Sekreti”, në mënyrë që të kuptosh më tepër rreth botës së femrës, gjërave që u pëlqejnë më shumë”,- thotë i buzëqeshur Merdani. Nuk e ka keq, një libër ia vlen krahasuar me kohën që djemtë shpenzojnë dhe “vrasin” kafeneve!

Xhani Shqerra: “Libri, ky oaz qetësie dhe reflektimi!”Ai është një artist i kompletuar dhe ka kaluar eksperienca të ndryshme si: model, këngëtar, prezantues dhe publicist. Xhani Shqerra është djaloshi simpatik që e vlerëson shumë brendinë. Raportin me librat e ka konsoliduar me kalimin e viteve. Nuk i ka refuzuar kurrë dhuratat që merrte prej të afërmve, që e kishin pikasur herët aftësitë e tij intelektuale. “Jam shumë i dhënë pas librave.

Për mua është një oaz qetësie, reflektim apo dhe thjesht argëtim”,- tregon së pari. Nuk preferon të na tregojë tituj, duke pretenduar se gjithsecili shfleton sipas kapacitetit dhe preferencave personale. Anon nga letërsia e huaj, por e njeh mirë atë shqiptare. Përpara se të niset me pushime, nuk bën “gafë” të harrojë dy-tre titujt e përzgjedhur për t’i marrë me vete.

Zgjedh botimet e reja ose u rikthehet librave të preferuar, që i japin një lloj ndjesie të veçantë edhe sikur t’i lexojë për të dhjetën herë. “Të lexuarit është çështje të mësuari. Kjo lloj kulture mësohet dhe është e vështirë ta largosh prej ditës tënde. Ama nëse e konsideron sakrificë të lexuarit, natën vonë jam i bindur që nuk ke përthithur asgjë. Përkundrazi ke sforcuar mendjen”, – rrëfen ai. Na vjen mirë për këtë rrëfim “pa doreza”, faleminderit Xhani Shqerra!?