Vit i Ri, ide të reja
Vit i ri, ide të reja…
Jemi në atë periudhën kur shumë prej nesh i vënë qëllime vetes për çështje nga më ndryshmet. Bëjmë lista me premtime, që në shumicën e rasteve i thyejmë që në muajin e parë.
Mos bëni lista! Nuk kanë për të funksionuar kurrë!
POR… nuk është kurrë keq të keni disa ide të qarta që në fillim të vitit dhe sidomos të merrni rekomandime.
Kam miq e të afërm që më thonë se nuk e shijojnë të lexuarin. Përgjigjja ime: Nuk e kanë lexuar ende librin e duhur. Në momentin që lexon librin që duket sikur është shkruar enkas për ty, para teje zbulohet një botë e re.
Të gjej librin e duhur për ta lexuar nuk ka qenë kurrë problemi im, të balancoj rrymat dhe autorët pastaj është çështje më vete.
Në këtë fillimviti, në pritje të botimeve të reja, është gjithmonë ai libri që nuk keni pasur kohë ta shfletoni, apo ai tjetri që ta kanë rekomanduar së fundmi.
Disa nga librat më të mirë që kam lexuar vitet e fundit m’i ka rekomanduar një mikja ime. I tillë është edhe romani që do të nis të parin për këtë vit, megjithëse jo i botuar së fundmi, “I ardhur në jetë” nga Margaret Mazzantini.
Një tjetër libër që do ta lexoj patjetër është “Qerbelaja”, një aventurë e shkruar nga një reporter i vijës së parë të luftës, që të çon në zemër të Irakut të shkatërruar. .
Rikthimi te miqtë e vjetër është gjithmonë i pëlqyeshëm. Kështu, kam bërë në plan të rilexoj një nga librat e mi të preferuar, “100 vjet vetmi” të Markezit, si dhe “Zoti president” nga Asturias; shpresoj të jetë po aq i mirë sa e mbaj mend.
Mes punëve të shumta, uroj që të gjithë ju të gjeni hapësirë edhe për librin.
Lexim të mbarë!
Elona Qose