skip to Main Content

“Loja e madhe” – spiuni hebre që mundi nazistët

Edward_Snowden-2

Qeveria amerikane dhe agjencitë e saj për momentin janë duke u marrë me çështjen e përgjimeve, pas të dhënave të nxjerra nga Eduard Snouden.

Ndërkohë që shumë njerëz të thjeshtë, me të drejtë, janë shqetësuar nga informacionet për përgjimet, deklaratat e qeverive të vendeve të tjera duken më pak të sinqerta. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë: shtetet gjithmonë kanë spiunuar njëra-tjetrën.

Një nga librat që mund ta gjeni së fundmi në portalin tonë, në dy vëllime, është edhe botimi i shtëpisë “Fan Noli”, autobiografia e njërit prej agjentëve më të mëdhenj të spiunazhit në botë, “Loja e madhe –  kujtime të një spiuni që Hitleri nuk e bëri të heshtte”, i Leopold Treper.

Spiunazhi është padyshim i të gjitha formave dhe llojeve, duke u kushtëzuar kryesisht nga vendi dhe koha. Por akti i spiunimit është tejet kompleks në periudha lufte. Kjo formë e rrezikshme spiunazhi ishte ajo që një hebre me emrin Leopold Treper e orkestroi në Europë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Treper nuk ishte një spiun i thjeshtë, ai ishte truri i operacionit “Orkestra e kuqe” – një operacion sovjetik anti-nazist që operoi në Europën e kontrolluar nga nazistët gjatë luftës.

Leopold Treper lindi në një qytet të vogël në Poloninë e sotme, në një familje hebreje. Pavarësisht problemeve financiare, e ëma, bindur në gjenialitetin e të birit, ia arriti ta çonte në një shkollë të shtrenjtë.

Treper ishte i shkëlqyer në mësime, por ishte i detyruar të punonte. Ndërsa nisi punë, u frymëzua nga revolucioni rus dhe iu bashkua partisë komuniste polake. Aktivizmi politik i tij nuk u prit mirë dhe u burgos për 8 muaj.

“U bëra komunist sepse jam hebre”,- është shprehur Treper. “Te marksizmi gjeta një përgjigje pragmatiste për origjinën time. Mendoja se vetëm një shoqëri socialiste mund t’i jepte fund racizmit dhe antisemitizmit”.

Treper shkoi në Rusi ku iu bashkua shërbimit të jashtëm të inteligjencës, i njohur ndryshe si CIA ruse.

Në vitin 1938, ai u vendos në Belgjikë, nga drejtoi operacione të fshehta në Gjermani, Francë, Holandë e Zvicër, si dhe organizoi operacionin kundër nazizmit të quajtur “Orkestra e kuqe”.

Në vitin 1942, Treper u arrestua nga gjermanët, të cilët u përpoqën ta kthenin në një agjent të dyfishtë. Por Treper ia arriti që, nëpërmjet të dhënave të tërthorta, t’i informonte rusët se ishte i detyruar t’u jepte informata të gabuara. Dhe jo vetëm kaq, një vit më vonë ai arriti të arratisej dhe të shkonte në Paris, ku u tërhoq në moshën 39-vjeçare.

Në gusht të vitit 1944, Treper u kthye në Moskë, ku u arrestua si rezultat i spastrimit stalinist.

Pas lirimit nga burgu, Treper u kthye në vendin e lindjes në Poloni, ku drejtoi Organizatën Kulturore Hebreje dhe ndihmoi në botimin e librave. Në vitin 1974 u lejua të shkonte në Jerusalem dhe një vit më vonë botoi autobiografinë e tij. Disa vjet më vonë, në 1982-shin, Treper ndërroi jetë në Izrael.

Në epilogun e librit të tij me kujtime, Treper shkruan:

“Nuk jam penduar për zgjedhjen që bëra kur isha i ri, nuk më vjen keq për zgjedhjen e rrugëve nëpër të cilat kam kaluar. Vjeshtën e vitit 1973, në Danimarkë, gjatë një mbledhjeje politike, një djalë i ri m’u drejtua me pyetjen: A nuk e keni flijuar jetën tuaj kot?

Iu përgjigjja: Jo! E pra, jo, por me një kusht, që njerëzit të nxjerrin mësime nga jeta ime prej komunisti dhe revolucionari që të mos e flijojnë jetën e tyre për hir të hyjnizimit të një partie”.