Muaji i grave – libra mbi gra të paharrueshme
Marsi njihet botërisht si muaji i grave. Pikërisht sot, më 3 mars, festohet viti i 100 që kur gratë marshuan në Uashington për të kërkuar të drejtën e votimit.
Për këtë arsye, mendova se ishte e përshtatshme ta nisim javën duke diskutuar disa prej librave që merren me pyetjen se çfarë do të thotë të jesh grua në kohët moderne; se si faktorë të tjerë si karriera, martesa, fëmijët influencojnë vendimet tona çdo ditë. Këto ditë kam menduar shumë për rolin e grave në shoqëri, për gratë që kanë bërë historinë dhe që janë pranuar gjerësisht si modele femërore.
Nuk është hera e parë në fakt që shkruaj për këtë temë, për gratë e forta që janë memorizuar në letërsi. Sot do të shkruaj për disa libra të ndërtuar mbi këto karaktere, libra që të gjithë, gra e burra, nuk duhet t’i lënë pa lexuar. Gra që kanë dashuruar, por edhe kanë humbur; gra që na kanë frymëzuar më parë dhe tani, gra që, kur arrijmë në faqen e fundit, na duket sikur i kemi mikesha të ngushta.
1. “Kleopatra, sharmi i pushtetit” – Historia ka pasur shumë për të thënë për jetën e jashtëzakonshme të kësaj mbretëreshe. Në këtë libër kupton se gjërat më tërheqëse të këtij personazhi nuk ishin bukuria fizike apo bizhuteritë: ishte mendja e saj.
2. “Tesi i D’Ebervileve” nga Tomas Hardi. Nëse doni të dini sa larg mund të arrijnë gratë dhe burrat për dashurinë dhe qëllimet e tyre, duhet t’i hedhin sytë nga Anglia e erës industriale. Ajo çfarë do të mësoni do t’ju shkatërrojë shpirtin.
3. “Zgjimi” nga Kate Chopin. Ky libër më ka përfshirë që kur lexova një kritikë mbi të në një revistë angleze kritike letrare. Ky libër është shumë më tepër sesa thjesht një martesë pa dashuri dhe arritja e ngadaltë por e pashmangshme e një gruaje drejt tradhtisë.
4. “Kujtimet e një geishe” nga Arthur Golden. Ky libër është një udhëtim pas në botën e humbur të Japonisë në vitet para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa gjuha e përdorur nga autori është delikate, heroina e librit është e fortë dhe këmbëngulëse.
5. “Damka e turpit” nga Nathaniel Hawthorne. Asnjë listë e librave me gra të forta në letërsi nuk do të ishte e plotë pa Hester Pryne, një grua që e fortë dhe e drejtë, që me guxim e kurajë mbron veten e saj në një shoqëri maskiliste e hipokrite.
6. “Bashkë me erën” nga Margaret Mitchell. Scarlett O’Hara është një grua që duhet ta njihni patjetër.
7. “Njëmijë diej vezullues” nga Khaled Hosseini. Një libër me jo një, por dy gra heroina. Pavarësisht mjedisit të egër në të cilin këto gra janë të detyruara të jetojnë, autori me mjeshtëri nxjerr në pah forcën, humanizmin dhe ndjeshmërinë e këtyre dy grave.
8. “Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli. Dija është një nga personazhet femërorë më të dashur. Edhe pse i shkruar kur romani si gjini ende nuk ishte tërësisht i formësuar në vendin tonë, autori ka krijuar një nga heroinat e letërsisë shqiptare, edhe pse të pafuqishme për t’iu kundërvënë normave e zakoneve të shoqërisë.