skip to Main Content

Si të lexosh një libër në javë

1531616_687529301285375_730177542_n

Pse? Sepse, së pari, ndihesh mirë! Të lexosh nga një libër çdo javë të ndihmon të mendosh mirë dhe të jep një numër të madh idesh; është shumë më mirë sesa televizori, madje edhe se interneti; të ndihmon ta kuptosh më mirë botën…

Pse pikërisht një libër në javë?

Është e vërtetë që do të ishte shumë më e thjeshtë nëse do të thuhej “lexo më shumë libra”. Por në fakt, qëllimi dhe mbi të gjitha rezultati nuk do të ishte i njëjtë. Natyra njerëzore është e ndërtuar në mënyrë të tillë që vazhdimisht ka nevojë për shtysa. Kështu, t’i vendosësh vetes një qëllim, në këtë rast një numër librash për t’u lexuar, ndihmon. Është njëlloj si qëllimet që i vëmë vetes vazhdimisht në fillim të çdo viti për gjërat që zotohemi t’i bëjmë, por me një ndryshim: duke qenë afatgjata shumicën e atyre qëllimeve, të jemi të sinqertë, i harrojmë që muajin e parë. Në këtë rast, rezultati është plotësisht i arritshëm, pasi mendohet si punë e kryer në fund të çdo jave dhe si çdo punë tjetër e përfunduar me sukses, të bën të ndihesh mirë. Shtoi kësaj edhe kënaqësinë që të jep leximi i një libri të ri dhe misioni është përmbushur.

Zgjidh librat
Bëj një plan të librave që mendon dhe ke dëshirë të lexosh. Mundohu që çdo javë të lexosh libra me një mesatare 250-300 faqe. Nëse një javë lexon një libër më voluminoz, alternoje javën në vijim me një libër të vogël dhe argëtues.

Ktheje leximin në rutinë
Kjo është e rëndësishme. Të gjithë kemi atë rutinën e të bërit të gjërave në të përditshmen tonë. Mund ta bësh rutinë që, për shembull, të lexosh në mëngjes disa faqe duke rrufitur kafenë (gjithmonë nëse nuk je tipi i atyre që në mëngjes preferojnë gazetat) ose mund të lexosh disa faqe në shtrat para se të flesh.

Mos humb asnjë moment
Nëse ke një pushim në punë, mos e shpërdoro kot; nëse ke pushim dreke, përdore për të lexuar; nëse udhëton me autobus, mbaje librin në çantë (gjithmonë nëse, në raste të rralla, ke mundësi të jesh ulur). Të lexosh qoftë edhe dy faqe ndërkohë që ke një pushim të shkurtër të ndihmon të vazhdosh punën më me efikasitet.

Nuk është krim të bësh hile
Kanë kaluar dy ditët e para të javës dhe ende nuk ke nisur një libër? Është koha të bësh me hile? Mbase mund të duket jo e dobishme. Dua të them, të mashtrosh veten?! Por në fakt nuk ashtu. Zgjidh një libër të shkurtër, qoftë edhe nga ata që i ke lexuar më parë, mjafton që të jetë një libër që të të bëjë të ndihesh mirë dhe të të argëtojë. Edhe librat e vegjël mund të jenë të jashtëzakonshëm.
Si përfundim:
Leximi është argëtues, por mbi të gjitha të bën njeri më të mirë, më të kompletuar, më të lumtur. E gjithë dituria e botës është e përqendruar nëpër libra, gjëra që nuk i gjeni në internet.
Ndaj, nis që sot. Tërhiq një libër nga biblioteka dhe javë të mbarë!