skip to Main Content

Festivali i Librit me botime të reja nga zhanre të ndryshme

14-04-21-03-45-33big_11213

Për herë të parë organizohet në Tiranë Festivali i Librit dhe Artit Pamor, që çeli siparin në Ditën Ndërkombëtare të Librit.

Shtëpia Botuese “Dudaj” ka organizuar konferencën me temë “Letërsia e angazhuar dhe gruaja”, ku në panel ishte ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Rudina Xhunga, Daria Bignardi, Eda Derhemi dhe Ardian Vehbiun.

“Koncepti i letërsisë së angazhuar nuk duhet të jetë vetëm i femrave”, – tha ministrja Kumbaro. “Unë nuk jam shkrimtare, por nëse kam zgjedhur të angazhohem e kam bërë me përkthimin. Duke e quajtur përkthimin krijim, ky më është dukur angazhim sepse mendoj se kam folur me publikun nëpërmjet autorëve, përzgjedhja e të cilëve është gjithashtu akt angazhimi. Sepse autorët që kam përkthyer nuk i kam zgjedhur në mënyrë të rastësishme, kam zgjedhur autorë që më kanë goditur e më pas kam komunikuar nëpërmjet veprave të tyre. Të tillë janë Kundera, Dyras apo Marjane Satrap me veprën “Persepolis”.

Shkrimtarja Daria Bignardi, libri i së cilës “Akustikë e përkryer” u promovua dy ditë më parë, mendon se nuk ka një kategori të letërsisë së angazhuar për femra pasi sipas saj, kategoritë e letërsisë nuk kanë seks.

Në ditën e dytë të Festivalit të Librit, shtëpia botuese “Saras” bëri prezantimin e librit “Fytyra e Simurgut” i autorit Gazmend Krasniqi. Gjithashtu në orët e paradites, shtëpia botuese “Toena” bërë promovimin e romanit “Bilbao, Nju Jork, Bilbao”, i shkrimtarit spanjoll Kirmen Uribe, në bashkëpunim me ambasadën spanjolle. Në tetor të vitit 2009 ky autor  u vlerësua me Çmimin e Letërsisë Spanjolle, ndërsa në vitin 2008, për të njëjtën vepër, ai u vlerësua me Çmimin e Kritikës me motivacionin: “Për një roman të shkruar në gjuhën baske”.

Romani, i botuar për herë të parë nga shtëpia botuese “Elkar”, ngjalli një kureshtje të madhe. Ai është përkthyer në katërmbëdhjetë gjuhë të botës, nga shtëpitë botuese më prestigjioze në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.