skip to Main Content

“Hëna e Shqipërisë” e Ben Blushit – një libër që duhet lexuar

“Hëna e Shqipërisë” titullohet libri më i ri i shkrimtarit Ben Blushi.
Çfarë vendi do të jetë Shqipëria në 100 vitet e ardhshme? Çfarë drejtimi do t’i japim ne shoqërisë, ekonomisë, partive dhe shkollave në vitet e ardhshme?
Këto pyetje dhe të tjera marrin përgjigje nga Blushi përmes asaj që ai e quan përpjekje për një parashikim të sotëm për të ardhmen.

“Pabarazia do të theksohet në Shqipëri dhe, për fat të keq, binjakëzimi mes klasës së pasur dhe elitës politike po bëhet edhe më i dukshëm, edhe më i fortë”, – tha Ben Blushi në prezantimin e librit të tij.
Pikërisht kjo, sipas Blushit, është një nga dallimet më të mëdha që kemi sot. Blushi mendon se mënyra se si i qasemi pabarazisë dhe pabarazia në të ardhmen do të ketë efektet e veta.
19 ese-idetë dhe debatet e përfshira në këtë botim të ri nuk janë profeci, por më shumë një përshkrim i detajuar i asaj që është sot Shqipëria por me vështrim nga e ardhmja.
“Bashkimi me Europën, jam i bindur që do të ndodhë, çështja është me çfarë kostosh ndodh për ne. Procesi i bashkimit me Europën nuk do të jetë një proces i lehtë. Nuk jemi aq afër sa duhej të ishim, por jemi më afër se kurrë në histori dhe këtë përpiqem ta them në libër, duke u marrë pak me të ardhmen”, – është shprehur Blushi.
Sa i përket bashkimit me Kosovën, Blushi thotë se do të ishte mirë të ishim si një shtet më i madh, një treg më i madh, me një kulturë kombëtare të konsoliduar.
“Edhe ky është një proces i komplikuar në të ardhmen e afërt. Ose ndoshta jo. Në qoftë se këto dy shtete nuk shkojnë paralelisht në aspektin e zhvillimit, demokracisë, zbatimit të ligjit, të kulturës, sigurisht bashkimi i të dyve do të jetë një proces jo i lehtë në të ardhmen”,- thekson ai.
Në librin “Hëna e Shqipërisë”, Ben Blushi i ka kushtuar një kapitull të rëndësishëm edhe fesë, ku shkruan se ndërkohë që të gjitha partitë dhe grupimet politike humbin terren, islami fiton kauza dhe ndjekës çdo ditë duke shfrytëzuar dobësimin e të gjithë konkurrentëve të vet. Sipas tij, është pothuajse një lëvizje politike, ndonëse e heshtur por shumë aktive.

Ashtu si veprat e mëparshme të Blushit, “Hëna e Shqipërisë” është një libër që nuk duhet humbur.
http://www.botimeshqip.com/drejtesi-diplomaci-politike/192651-hena-e-shqiperise.html