skip to Main Content

“Sende që nxirrte deti” – vepra më e mirë për vitin 2013

Javën e kaluar, dashamirët e librit kishin një aktivitet më tepër ku të kalonin një pjesë të mirë të kohës. Festivali i Librit dhe i Artit është i pari aktivitet kulturor ku ndërthuret libri me artet pamore. 

Për katër ditë me radhë, Muzeu Kombëtar u kthye në një qendër botimesh. Më shumë se 45 botues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ekspozuan titujt e rinj të pranverës dhe botimet më të mira ndër vite. Dy sallat e promovimit në Muzeun Historik Kombëtar ishin të zënë çdo ditë me promovime titujsh të rinj. Të ftuar specialë në këtë event ishin dy autorë: Daria Bignardi, autore e “Akustikë e përkryer” dhe malazezi Andrej Nikolaidis.
Panairi u organizua nga Shoqëria e Librit Shqip, shoqëri që nisi të ekzistojë dy vite më parë, nën drejtimin e të ndjerit dhe të mirënjohurit Ardian Klosi dhe pjesëmarrjen e disa prej botuesve, si shtëpia botuese “Toena”, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, “Skanderbeg Books”, OMSCA, “Kuteli”, botimet “Dudaj”, “Botart”.
Festival i Librit në katër ditët e zhvillimit të tij i dha një tjetër imazh jetës kulturore të kryeqytetit.

Gjatë ditëve të festivalit u shpallën edhe disa nisma të iniciuara nga Ministria e Kulturës, siç është ajo e krijimit të hartës së kafeneve letrare në kryeqytet.

“Sende që nxirrte deti” është shpallur vepra më e mirë publicistike për vitin 2013 dhe është kurorëzuar me çmimin “Ardian Klosi”, i cili jepet për herë të parë, dy vjet nga ndarja tragjike nga jeta e publicistit të njohur, shkrimtarit, përkthyesit dhe aktivistit të shoqërisë civile.
Ky libër që pasqyron kulturën shqiptare në raport me kulturën e vendeve perëndimore, është vlerësuar në këtë eveniment të rëndësishëm, si një botim publicistik dhe mjaft origjinal. Autori është ndierë i befasuar në vlerësimin që i është bërë librit të tij.
“Është nder i madh dhe i papritur, nuk di nëse do të jem në gjendje të flas për këtë nder. Megjithatë dua të falenderoj kolegët, botuesen “Dudaj”, kolegët e jurisë, familjen e Ardian Klosit, familjen time dhe sidomos lexuesit e librit. Jam i lumtur që u nderova me çmimin dhe natyrisht që çmimi mban emrin e Ardian Klosit, që është një figurë e shquar e kulturës, letërsisë dhe shoqërisë civile dhe njëkohësisht shoku im. Gjithçka është perfekte me përjashtim të faktit që ai nuk është prezent”- u shpreh Vehbiu në fjalën e tij.

http://bit.ly/1hHJuOT