skip to Main Content

Shuhet Markezi, gjiganti i letërsisë

10151868_701951303176508_6465289215167740231_n

Vdekja nuk të vjen nga pleqëria, por nga harresa – shkruante mjeshtri i letërsisë, Gabriel Garcia Markez.
E sigurt është që vepra e tij nuk do të vdesë kurrë, pasi ka zënë vend në kujtesën popullore.
Shkrimtari kolumbian, fitues i çmimit Nobel në Letërsi, ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare në shtëpinë e tij në qytetin e Meksikos.

Markezi konsiderohet si krijuesi i realizmit magjik, një lloj letërsie ku ndërthuret realja me imagjinaren, e cila u përqafua nga një brez i tërë shkrimtarësh që lëvruan këtë lloj letërsie.
Në një intervistë për “Paris review” në vitin 1981, Markez është shprehur se e ka ditur gjithmonë se do të bëhej shkrimtar, çështja ishte të gjente elementin që do ta identifikonte.
Dhe ia arriti me romanin që e bëri të njohur në të gjithë botën, “100 vjet vetmi”, ku siç shprehej, arriti të gjente tonin e duhur, atë stil që përdorte gjyshja e tij kur i tregonte histori.
“Ajo më tregonte histori të mrekullueshme, të mbinatyrshme, por i thoshte me kaq thjeshtësi. Kur më në fund e gjeta stilin që duhej të përdorja, u ula dhe shkrova për 18 muaj rresht”, është shprehur Markez.

Sipas tij, realizmi magjik buron nga vetë historia e Amerikës Latine.
“100 vjet vetmi” ka shitur më shumë se 20 milionë kopje. Poeti kilen, Pablo Neruda, e ka quajtur zbulimi më i madh në gjuhën spanjolle që nga koha e “Don Kishotit”.
Me këtë roman, Markezi fitoi çmime letrare në të gjithë botën, ishte një sukses i menjëhershëm kritik dhe komercial.

Duke pranuar çmimin Nobel, Markez tha: “Për poetët dhe lypësit, muzikantët dhe profetët, luftëtarët dhe faqezinjtë, të gjithë krijesat e këtij realiteti të pafre, na duhet të kërkojmë vetëm pakëz imagjinatë. Sepse problemi ynë kryesor ka qenë mungesa e mjeteve tradicionale për t’i bërë jetët tona pakëz më të besueshme”.
I pyetur në vitin 1981 për ambiciet e tij si shkrimtar, Markez tha se shkrimtarët nuk e përballojnë mirë famën, e cila ka tendencën të të izolojë nga bora e vërtetë.
“Nuk më pëlqen ta them këtë pasi nuk tingëllon si e sinqertë, por do të dëshiroja që librat e mi të botoheshin pas vdekjes time, kështu që nuk do të më duhej të merresha me famën dhe të qenin një shkrimtar i madh”, – ka thënë ai

Me vdekjen e Markezit, bota ka humbur një nga mjeshtrit më të mëdhenj të fjalës.