skip to Main Content

Letërsia LGBT dhe nevoja për të “shpëtuar jetë”

Muajt e fundit, gjithmonë e më shumë rrjete sociale po përdoren për të promovuar lloje të ndryshme letërsie dhe mbi të gjitha për të shtuar vëmendjen ndaj çështjeve të ndryshme lidhur me letërsinë. Ditët e fundit, lexuesit kanë përdorur më së shumti Twitter-in për të ndërgjegjësuar publikun mbi nevojën për publikimin e librave me karaktere të shumëllojshme.
Një tjetër fushatë ndërgjegjësimi kohët e fundit ka qenë ajo që mbështet dhe promovon letërsinë LGBT. Kjo jo pa qëllim.
17 maji njihet botërisht si ditë ndërkombëtare kundër homofobisë dhe në kuadër të aktiviteteve të shumta u organizuan edhe një sërë fushatash me në qendër artin, kulturën, letërsinë…

Por…
Në muajin mars, një organizatë që mbështet letërsinë dhe shkrimtarët LGBT inicioi një fushatë me pyetjen: Cili libër LGBT ju ka shpëtuar jetën? Pse homoseksualët, transseksualët dhe biseksualët kanë gjithmonë nevojë të shpëtohen?
Ndërsa e vlerësoj shumë punën e kësaj organizate për të tërhequr vëmendjen ndaj letërsisë dhe shkrimtarëve të komunitetit LGBT, tema e kësaj fushate më duket pa sens. Pse duhet që librat e ose për komunitetin LGBT të shpëtojnë jetë?
Në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo, organizata të tilla e viktimizojnë këtë komunitet.

Si lexuese, dëshiroj të lexoj libra me vizion, me histori që të mbërthejnë; dua të lexoj libra që evokojnë ndjenja të fuqishme: gëzim, frikë, kënaqësi, dashuri, dëshpërim…
Më pëlqen të lexoj libra LGBT sepse janë letërsi e mirë, janë argëtues. Dua të lexoj libra provokues, por edhe paqësor.

Mbi të gjitha, dua të lexoj letërsi LGBT edhe pse jam heteroseksuale, sepse besoj se letërsia, ashtu si çdo formë arti e kulture, shkon përtej ndryshimeve gjinore. Dua të lexoj letërsi LGBT sepse besoj fuqimisht te talenti i shkrimtarëve të këtij komuniteti dhe se besoj se kjo letërsi argëton.
Nuk e mohoj që për disa njerëz (nuk mungojnë nëpër botë rastet e adoleshentëve të frustruar nga ambienti, të cilët nuk arrijnë të përballojnë faktin e të qenit dhe të jetuarin ndryshe), disa lloj librash ndihmojnë, në kuptimin që u japin kurajë të pranojnë veten dhe të përballen me të tjerët.
Por këta janë vetëm disa në grumbullin e madh të njerëzve që duan të shijojnë thjesht letërsi.