skip to Main Content

Për t’u lexuar: “Bilbao – Nju Jork – Bilbao”

Një roman ndërmjet reales dhe fiksionit, një histori që rrjedh përgjatë një fluturimi nga aeroporti i Bilbaos në aeroportin JFK të Nju Jorkut, dhe shtjellon historinë e tre breznive të një familjeje.
Përmes letrash, ditarësh, mesazhesh, email-esh, poezish dhe fjalorësh, krijohet një mozaik kujtimesh e rrëfimesh, që përbëjnë një homazh ndaj një bote thuajse të zhdukur dhe njëherësh një këngë për vazhdimësinë e jetës.
“Bilbao – Nju Jork – Bilbao” është roman i shkrimtarit spanjoll Kirmen Uribe, i vlerësuar me Çmimin e Letërsisë Spanjolle dhe Çmimin e Kritikës. Libri është përkthyer në 14 gjuhë, së fundmi edhe në shqip nga Bashkim Shehu.
Javën e kaluar, shkrimtari i njohur, që shkruan në gjuhën baske, erdhi në Tiranë ku bëri promovimin e këtij libri. “Unë shkruaj në një nga katër gjuhët që ekzistojnë në Spanjë, në gjuhën baske, të cilën e flasin pak njerëz, rreth 1 milion. Gjuha baske është një gjuhë pak a shumë si shqipja, që ka një të kaluar shumë të gjatë. Është një gjuhë shumë e hershme dhe gjëja më e bukur është se ka vazhduar të ekzistojë edhe pas mijëra vjetësh, deri në ditët e sotme. Prandaj për mua është një gjë shumë e bukur dhe e veçantë të vij në Shqipëri, sepse edhe ju e keni dashur dhe keni luftuar për të mbrojtur gjuhën dhe kulturën tuaj. Dhe për mua jeni një model për t’u ndjekur” – tha shkrimtari spanjoll gjatë prezantimit të librit të tij.

Protagonist i librit është vetë autori, i cili teksa sheh nga dritarja Oqeanin Atlantik, rikthehet pas në kohë dhe kujton se pikërisht atë rrugë që ai tani e bën vetëm për pak orë me avion, i ati e bënte për një muaj. Ndëtimi i librti është tejet i veçantë, me ndërthyrje historish. Dhe vetë autori mendon se çdo njeri që lexon këtë libër do të jetë i aftë të nxjerrë nga kujtesa e tij histori personale ndoshta të harruara.

Kirmen Uribe është cilësuar nga kritika si një nga rinovuesit më të shquar të letërsisë së sotme, i cili futet në ujërat e autofiksionit me një stil të pasur, kompleks, sugjestiv dhe prekës.
“The Times Literary Supplement” shkroi për librin: “Në këtë roman, Uribe ka arritur të bëjë atë që mbetet vetëm ambicie për shkumë shkrimtarë: një libër që ndërthur familjen, romancën dhe letërsinë”.
http://www.botimeshqip.com/roman/190839-bilbao-nju-jork-bilbao.html