skip to Main Content

Spanja nis kërkimet për eshtrat e autorit të “Don Kishotit”

don_kishoti

Migel Servantes, shkrimtari më i madh spanjoll, vdiq në Madrid më 23 prill 1616. Vdiq i varfër dhe u varros në një kishë të vogël. Askush nuk u kujtua më për të derisa u rizbulua një roman i shkruar prej tij…
Por atëherë askujt nuk i kujtohej se ku ishte varrosur trupi i shkrimtarit.
Tani, katër shekuj më vonë, Spanja ka ndërmend të nderojë shkrimtarin e madh. Këtë javë, një ekip ka nisur punën për të gjetur eshtrat e Servantesit.

Kur Servatesi u shpërngul në kryeqytetin spanjoll, e kishte publikuar librin që do të ndryshonte letërsinë spanjolle me personazhin e paharruar, Don Kishotin.
Edhe pse libri pati një farë suksesi në atë kohë, nuk arriti ta bënte të famshëm autorin, që njihej më shumë si ushtar. Servantesi kishte shërbyer në disa luftëra dhe kishte kaluar disa vite si rob në Algjeri, derisa më në fund u lirua, por u shkatërrua ekonomikisht.
Për disa kohë jetoi në dhoma të vogla e taverna. Shkrimtarët e tjerë të periudhës së artë të letërsisë spanjolle, si Francisco de Quevedo, Lope de Vega dhe Luis de Gongora, e injoruan. Ironike, duke pasur parasysh se pavarësisht vendit të merituar që kanë në letërsinë spanjolle dhe botërore, nuk kanë arritur kurrë suksesin e Migel Servantesit, “Don Kishoti” i të cilit është vepra më e përkthyer në botë.

Ekipi që po bën gërmimet për të gjetur eshtrat e Servantesit do të mbështetet mbi vetë përshkrimet a autorit dhe historinë e jetës së tij. Është e faktuar që Servantes ishte plagosur tri herë në kraharor dhe në krahë.
Pas gjetjes së eshtrave dhe analizimit të tyre, do të bëhet rivarrimi me nderim, këtë herë me një pllakë për të kujtuar emrin e shkrimtarit të madh