Fragment nga “Tre shokët”
Fragment nga “Tre shokët”
(e shoqeruar me nje pikture te piktorit te mirenjohur shqiptar ne bote, Ben Theodhosi)
Mjaft gra pata njohur, por gjithmonë kishin qenë vetëm takime të rastit, aventura, nganjëherë ndonjë ore variacionesh, një mbrëmje e vetmuar, arratisje nga vetvetja, nga dëshpërimi, nga zbrazëtia. As vetë nuk kisha dashur të kishte ndodhur ndryshe, sepse jeta më kish mësuar që njeriu s’mund të mbështetej pas asgjëje, veçse pas vetes dhe, shumë, shumë, edhe pas një shoku të vërtetë. Kurse tani, papritmas, po kuptoja se mund të vleja diçka për një njeri tjetër, vetëm e vetëm sepse ekzistoja dhe sepse ai njeri ishte i lumtur që i ndodhesha pranë. Kur flasim kështu për të tilla gjëra, gjithçka tingëllon shumë e thjeshtë, por kur e vrasim mendjen, del se është fjala për një çështje shumë më të madhe, e cila s’ka as fund, as anë. Është diçka që mund të të shqyejë nga brenda e të të ndryshojë krejtësisht. Është dashuri dhe prapëseprapë diçka tjetër. Diçka për të cilën vlen të jetohet.
U mata të them ndonjë gjë, por s’ia dola dot. Është e vështirë të gjesh fjalë kur ke për të thënë vërtet diçka. Edhe sikur t’i dish ato fjalë që duhen, atëherë të vjen turp t’i shprehësh. Të gjitha këto i përkasin shekujve të kaluar. Koha jonë ende nuk i ka gjetur fjalët e duhura për ndjenjat e saj. Ajo di vetëm të shprehet me arrogancë, të gjitha të tjerat janë të rreme