skip to Main Content

Jo të gjithë i pëlqejnë klasikët…

Autorja Anne Rice dhe një grup shkrimtarësh të njohur bashkëkohorë së fundi kanë firmosur një peticion, ku i kërkojnë Amazon, portalit më të madh në botë të shitjes së librave online, të editojnë komentet e lexuesve, komente që, sipas tyre, janë destruktive ndaj krijimtarisë dhe komunitetit krijues.
Sipas shkrimtares Rice, disa nga personat që shkruajnë në Amazon në shkrimet e tyre nuk fokusohen thjesht te librat dhe përmbajtja e tyre, por shkojnë më tej duke sulmuar autorët në nivel personal.
Çuditërisht, komentet më negative vihen re në faqet e veprave klasike. Mbase njerëzit kanë ndaluar së lexuari ose mbase për shumë të tjerë, veprat e cilësuara klasike për breza të tërë nuk kanë më atë ndikim.
Më poshtë kemi përzgjedhur disa nga komentet, mbase gazmore, për disa nga veprat më të njohura në historinë e letërsisë.

“Otello” nga Uilliam Shekspir
“Shekspiri mund të ketë qenë një njeri i njohur për kohën e tij, por veprat e tij nuk më duken të lezetshme tani. Më e rëndësishmja, unë dhe të gjithë njerëzit që njoh, të arsimuar pa dyshim, nuk e njohim anglishten e vjetër.”

“Uliksi” nga Xhejms Xhojsi
“Një libër shumë i vështirë për t’u lexuar dhe kuptuar… përveçse nëse ke përdorur marijuanë”.

“Aventurat e Tom Sojerit” nga Mark Tuein
“Libri më i mërzitshëm që kam lexuar ndonjëherë. Mund të konsiderohet klasik, por me thënë të vërtetën unë preferoj libra që kanë një subjekt. Për të qenë i sinqertë, libri është shkruar mirë, por i mungon historia.”

“Dhe lind dielli” nga Ernest Heminguei
“Mjeshtër i letërsisë Ernest Heminguei, por nuk ka asgjë mjeshtërore në këtë libër. Darka dhe pije, pije dhe darka, asgjë tjetër nuk ndodh. E vetmja gjë interesante e këtij libri është mënyra se si është zgjedhur titulli, që mesa duket është marrë nga një pasazh në Bibël.”

“Ana Karenina” nga Leo Tolstoi
“Disa pjesë të librit nuk kanë asnjë lidhje me personazhin kryesore, duke e bërë leximin të mërzitshëm.”

“Roje në thekërishten buzë greminës” nga J.D. Salinger
“Ky libër është një shpërdorim letre. Ka disa çështje të rëndësishme, por pa subjekt. Ndërkohë, është zhgënjyes edhe për shkak të përfundimit.”

“Perëndia e mizave” nga Uilliam Golding
“Mendoj se realiteti mund të ketë kuptime mjaft të thella, por nëse shkon shumë thellë rrezikon të mbytesh. Nuk do ta kisha menduar kurrë se ky libër do të më shkaktonte këtë ndjesi.”

Është normale që jo të gjithë të pëlqejmë të njëjtët libra, ashtu sikurse edhe kuptohet që shumë botime nuk kanë të njëjtin ndikim në breza të ndryshëm. Megjithatë, fakti që klasifikohen si klasikë nga kritika dhe lexuesit do të thotë pikërisht se i rezistojnë kohës.
Pavarësisht kësaj, shijet janë subjektive. Ndaj, nëse nuk keni lexuar ndonjë nga këta klasikë, pavarësisht mendimit të të tjerëve, çka vlen është ajo që ju mendoni.

Elona Qose