skip to Main Content

Det, diell dhe shfletim faqesh – çfarë të lexoni në plazh

Disa shkrimtarë e kritikë letrarë janë kundër termit “lexim veror”, duke mos e pranuar tendencën për të lexuar në bazë të ndarjes stinore. Por lidhja e verës me letërsinë nuk është dhe aq rastësore. Asgjë nuk e plotëson stinën e verës sa një libër i mirë.
Verë do të thotë çlodhje, muzikë, udhëtim dhe shoqëri e një ose më shumë libra.
Kafe e ftohtë, limonada apo kokteje, ditë të gjata në plazh ose pishina… pushimet janë perfekte për t’u zhytur në histori.
Për të gjetur librin që i përshtatet shijeve të tua, fillimisht përcakto një zhanër: nga misteri te romanca, nga biografitë te guidat e udhëtimit. Muajt e fundit shtëpitë botuese në Shqipëri kanë hedhur në treg disa nga titujt më të njohur e më të shitur nëpër botë.
Në këtë shkrim kemi renditur disa nga librat që nuk duhen humbur. Një pjesë e mirë janë libra të botuar së fundmi, të tjerë klasikë që meritojnë vëmendje.

– “Vajza e zhdukur” ishte libri i verës së kaluar në Shtetet e Bashkuara. Padyshim një hit, në shtator pritet të dalë në kinema edhe filmi me të njëjtin titull. Për lexuesin shqiptar, libri vjen nën siglën e shtëpisë botuese “Bota shqiptare”.
“Vajza e zhdukur” e Gillian Flynn ka magjepsur gjithë botën me portretizimin e një marrëdhënieje të shkuar keq. Gjatë leximit të librit ke atë ndjenjën se diçka nuk shkon ashtu siç duhet, se të vërtetën e ke para syve e megjithatë nuk e sheh e nuk e kupton. Në “Vajza e zhdukur”, reagimi i bashkëshortit pas zhdukjes së të shoqes nuk është ai i një vrasësi, e megjithatë nuk është ajo çfarë mund të presësh nga një bashkëshort i pikëlluar. Flynn nisi ta shkruante librin pasi u pushua nga puna si gazetare kulture për shkak të shkurtimeve në buxhet. Një fat i ngjashëm e çon personazhin kryesor, Nikun, në vendin e tij të lindjes. Dhe nga aty nis gjithçka…

– “Faji në yjet tanë” tërhoqi aq shumë vëmendjen e lexuesve dhe kritikës, sa menjëherë nisi puna për ekranizimin e historisë.
Hezëlli gjashtëmbëdhjetëvjeçare përballet me një sëmundje të rëndë. Por falë një mjekimi eksperimental, sëmundja po bën prapakthehu. Por ajo mësoi gjithashtu që mrekullitë paguhen herët a vonë: ndërkohë që lëngonte dhe dergjej shtretërve të pavijonëve, bota rendte me shpejtësi, duke e lënë mbrapa, të vetmuar
dhe jashtë qerthullit të interesave që ushqenin bashkëmoshatarët e saj.
Një ditë fati e përball me Augustusin, shokun e fatkeqësisë, një tip joshës që e rrëmben dhe e bën për vete me etjen për të jetuar. Por si një mëkat fillestar, si një faj i shkruar në yjet e mbrapshta nën të cilët kanë lindur Hezëlli dhe Augustusi, koha që kanë në zotërim është një mrekulli dhe si e tillë duhet
paguar.

– “Gruaja e njërit që udhëtonte në kohë”. Një histori magjepsëse dashurie, një histori pasioni mes Henrit dhe Klerës. “Gruaja e njeriut që udhëtonte në kohë” është aq i mbushur me dashuri, sa ndonjëherë ndihesh keq që lexon për intimitete të një marrëdhënie dhe nuk po flas për erotizëm, është thjesht dashuri e pastër.
Kjo është historia fantastike e Henri – një librar simpatik i cili në mënyrë të pavullnetshme udhëton nëpër kohë, si dhe e Klerës, një artiste jeta e së cilës merr një kthesë të papritur. Marrëdhënia pasionante e të dyve vazhdon në detin e kohës dhe dy të dashuruarit gjenden në një kurth romantik të pamundur.
Një vepër magjepsëse mbi fatin dhe besimin te madhështia e dashurisë.
– “Dashuri në kohërat e kolerës”. Aroma e kamelias përzierë me lulëzimin e portokajve, proza romantike dhe sensuale, gratë ekzotike,… të gjitha këto e bëjnë “Dashuri në kohërat e kolerë” librin ideal për t’u lexuar në verë. Amerika Latine e Markezit në libra është kaq larg mënyrës europiane të të jetuarit e ndërkohë është kaq e mistershme sa të transporton në një vend e kohë krejt tjetër.

– “Rebeka”. Rrëfimi nis në Monte Carlo…. Kaq mjafton për ta shfletuar këtë libër gjatë ditëve të nxehta të pushimeve.
E megjithatë, ka njëmijë arsye të tjera pse “Rebeka” është ribotuar disa herë ndër vite.
“Rebeka” përmban elemente të romancës, misterit dhe romanit gotik: kjo histori sfidon kategorizimin e lehtë. Ajo është një letër dashurie për një atdhe të humbur; është historia e ekuilibrit të pushtetit midis meshkujve dhe femrave; është një himn për një racë të zhdukur njerëzish që ngjanin sikur ishin më të mëdhenj e më të mirë se vdekatarët e zakonshëm; dhe natyrisht, siç e ka cilësuar vetë autorja, është një studim mbi xhelozinë.
Du Maurier krijoi një nga klasikët e romancës gotike. Është historia e një vajze që martohet me një vejan dhe bëhet zonja e re e një vile ende të banuar nga imazhi i gruas së parë. Duke u munduar të sqarojë misterin, ajo kridhet në një labirint psikologjik.

Dhe në fund, pavarësisht se çfarë zgjidhni për të lexuar, mbani mend këshillën e gazetarit P.J.O’Rourke: “Gjithmonë lexo diçka që do t’ju bëjë të dukeni mirë edhe nëse vdisni ndërsa jeni duke lexuar.”