skip to Main Content

Fragment nga “Kardigan”

10406906_749157808455857_5882340114537955879_n

Më ke dashur, e di. Sipas metrit tënd të dashurisë, me pikatoren gjithmonë përqendruar që të numëronte rreptësisht piklat e dashurisë që më dhuroje, më falje, më… cili është varianti i saktë i asaj që kam ndër mend në shqip? Më vjen fjala në gjuhë të tjera, por jo në shqip. U shpërndamë nëpër botë ne shqiptarët, zogj marrucë e të përhumbur me pendët që na kullojnë gjak… Më ke dashur, jam e sigurt për këtë, ndonëse kjo nuk të pengonte të lije mendjen edhe për të tjera gra dhe këtë të ma pohoje pa pikë mëshire…
Plogështia po mbaron… po çan drejt sipërfaqes një nga karakteristikat që na ka marrë më shumë në qafë ne ballkanasve, krenaria e pakufi, krenaria kaq pak e mençur. Por tani kam nevojë për të, edhe pse e di që kjo e famshme krenari është më shumë fodullëk prej budallai, që ne e nxjerrim nga xhepi sa herë nuk jemi të zotët të zgjidhim problemet tona. Pra, mirë se ardhtë krenaria kokëfortë, absurde, e gjithëpushtetshme, e sëmurë, shkatërruese, miope, e paarsyeshme. Kam aq shumë nevojë për një ndjenjë të tillë vullkanike!