skip to Main Content

Prozë poetike -Fan Noli

10540627_743278675710437_5123857064114672913_n

Hipur mbi gërdallën time të ligur bëja plane… Të fitoj dhe të ndreq botën. “Historia, – thosha, – le ta përmendë emrin tim… në librin e perëndive”. Dhe sikur të më kuptonte e ta merrte me mend, gërdalla vraponte nëpër fusha me tërë gëzimin e saj të shfrenuar. Befas, në rrugë e sipër, takova tri vajza, që në kraharorin e tyre (oh, gjokset e tyre kishin ngjyrën e diellit kur perëndon atje larg në Egjipt!), mbanin libra të bukur. Zbres dhe e lë gërdallën të kullosë e lirë nëpër fusha. I afrohem njërës prej vajzave dhe i them: – E bukura ime, lërmë të lexoj atë libër që mban. – Hape dhe lexoje, o kalimtari im trim. E hap librin mbi kraharorin e saj dhe zhytem në lexim. Historia, duke kaluar andej, e sheh kalimtarin tek lexon në gjoksin e një vajze të bukur, nuk do që ta ndërpresë dhe vazhdon rrugën e saj… Historia e la diellin të zhduket në brigjet afrikane.