skip to Main Content

Fenomeni “50 hijet e Greit”

50hijet

I ndaluar në shumë shtete, megjithatë i përkthyer në 51 gjuhë dhe i shitur në miliona kopje, “50 hijet e Greit” nga EL Xhejms ishte libri hit i dy viteve të fundit. Njerëzit në mbarë botën u kapën nga “ethet” e Greit; panairet e seksit nisën të lulëzonin, u rritën shitjet e prangave rozë e kamxhikëve me thekë, madje në SHBA, statistikat në dhomat e emergjencave treguan shtim të numrit të të lënduarve si pasojë e aksidenteve seksuale.
Kur u duk sikur po e linim mënjanë historinë e Anastasias dhe Kristianit dhe sikur u zbeh obsesioni i përgjithshëm, mediat u “çmendën” dhe rrjetet sociale shpërthyen nga fotot e para nga xhirimi i filmit me të njëjtin titull… derisa doli dhe trajneri i filmit.

Edhe pse nuk do të dalë në kinema deri më 14 shkurt të vitit tjetër, filmi me Xhemi Dornan në rolin e Kristian Greit dhe Dakota Xhonson në rolin e Anastasia Still është ndër të të përfolurit. Ngado dëgjon për “Hijet e Greit”, njëlloj si dy vjet më parë.
Të jem e sinqertë, nuk e kuptova dot zhurmën që bëri libri, ashtu sikurse nuk e kuptoj edhe reklamën që po i bëhet filmit.
Libri është i zakonshëm, madje autorja nisi ta shkruante këtë libër në internet.
Libri tregon për marrëdhënien dashurore mes një studenteje dhe një biznesmeni të pasur. Kristian është një 27-vjeçar milioner me prije sado/mazokiste. Anastasia është një e re e ndrojtur, paksa e vështirë, por që arrin të magjepsë burrin e mrekullueshëm të ëndrrave të saj. Se si ia arrin kësaj nuk gjen ndonjë shpjegim të kënaqshëm. Dhe ky është një problem. E gjithë marrëdhënia e tyre – jo fizike – përfshirja shpirtërore, nuk tingëllon për asnjë moment realiste.

Çfarë e bën erotikën të jetë e tillë, pra erotike, është realizmi, ndjenja se diçka ndodh e mund të ndodhë. Kristiani pëlqen seksin e dhunshëm dhe ka një dhomë plot me lodra seksi; Anastasia, nga ana tjetër, është një virgjëreshë naive. Ndoshta i shkruar ndryshe, autorja mund të sillte skena erotike ndër më të arrirat në letërsi. E megjithatë, çdo gjë në libër është e parashikueshme. E gjithë marrëdhënia mes tyre mund të përmblidhet: Kristian është i zemëruar me Anën, Kristian është i lumtur me Anën, Kristian dhe Ana bëjnë seks… dhe prapë seks… Dhe nisim sërish nga fillimi, një ngjarje që nuk ka nevojë për tre vëllime.

Por… i heqim kapelën autores, EL Xhejms. Për të tretin vit radhazi libri i saj është kryefjalë mediatike. Shumë, përfshirë edhe unë, mund të kritikojnë prozën e saj, por, tekefundit, asnjë prej nesh nuk ka botuar një trilogji që ka bërë miliona.