skip to Main Content

“Gardalina” – një libër mbi mjerimin, humbjen dhe artin

“Gardalina” është një pikturë e vogël e artistit holandez Carel Fabritius. Kjo kryevepër e vogël mund të soditet në muzeun e Hagës. Piktura është e vërtetë, por udhëtimi i saj në romanin me të njëjtin titull të Dona Tart është tërësisht i trilluar.

“Gardalina” është romani i shumëpritur i autores amerikane, për të cilin iu deshën 11 vjet, të shpërblyera gjithsesi me marrjen e çmimin Pulitzer në prill të këtij viti.
“Gardalina” është një roman mbi dhimbjen e humbjes, mbi kërkimin deri në dëshpërim të dashurisë, epërsinë e bukurisë dhe fuqinë e artit. Por mbi të gjitha është rrëfimi i një djali të ri, të traumatizuar nga një shpërthim që ndryshoi rrjedhën e jetës së tij. Mund të jetë një libër i gjatë – gati 800 faqe – por është një histori fantastike.

Personazhi kryesor, Theodor Deker, është edhe tregimtari i romanit, një adoleshent i Manhatanit, jashtëzakonisht i zgjuar dhe shumë i lidhur me të ëmën, një grua e kulturuar dhe e vetmuar; idhnak kundrejt të atit, një ish-aktor i Brodueit dhe i alkoolizuar. Jeta e Theos tronditet gjatë një vizite në muze kushtuar artit flamand. Pasi djali dhe e ëma kanë kundruar kryeveprën “Gardalina” të piktorit holandez Carel Fabritius, një bombë hedh në erë të gjithë pavijonin e muzeut. Mamaja e tij nuk arrin të mbijetojë, por Theoja dhe “Gardalina”, ajo pikturë e vogël e çmuar, që në pak penelata përmbledh të gjitha dritëhijet e artit flamand, arrijnë të shpëtojnë.

Theoja, që sapo ka mbushur të trembëdhjetat, i mbijeton këtij atentati terrorist, që ia shkatërron jetën brenda një çasti. I gjendur i vetëm në mes të Nju Jorkut, pa asnjë të afërm ose vend ku të qëndrojë, ai merret nën kujdestari nga familja e pasur e një shoku të shkollës. Në shtëpinë e re në Park Avenue, ai ndihet në siklet, i izoluar nga miqtë e vjetër dhe i sfilitur nga malli për të ëmën. Për këtë arsye kapet pas së vetmes gjë që ia sillte të ëmën më afër: Gardalinës – pikturës së vogël me bukuri unike, që në të ardhmen do bëjë të mundur që ai të depërtojë në mjediset e rrezikshme të kriminalitetit ndërkombëtar. Theoja rritet, bëhet burrë, dashurohet dhe ndërkohë mëson me lehtësi, në mjediset e dyqanit me mobilie antike ku punon, të jetë pjesë e salloneve më të shquara të qytetit. Ai lëviz me shkathtësi në sallonet me piktura të të pasurve dhe në labirintet e dyqanit ku punon, derisa një ditë gjendet i përfshirë në një lojë të rrezikshme në qendër të së cilës ishte pikërisht piktura e vogël “Gardalina”, që ndoshta simbolizon pafajësinë e humbur dhe bukurinë që, edhe e vetme, mund ta shpëtojë botën.

Tart ka krijuar një thesar: një roman të gjatë por që nuk ndihet i tillë. Duke huazuar penën e Dikensit, ajo ka sjellë një galeri personazhesh të paharrueshëm. Romani “Gardalina” është krijim bashkëkohor, me prekje nga letërsia e shekullit të 19-të.

2014-a është padyshim viti i “Gardalinës”, i vlerësuar nga publiku dhe kritika, edhe pse nuk kanë munguar zërat nga këta të fundit që e cilësojnë romanin si fëmijëror, me fjali të thjeshta dhe klishe.
Nuk besoj se kjo e bën një roman të dobët. Një shkrim i dobët nuk është i tillë sepse është i thjeshtë; është i tillë sepse nuk të fut në histori. Dona Tart në këtë roman bën të kundërtën: të përfshin në botën që ka krijuar.