skip to Main Content

Në parkun që mbuluan fletët Ismail Kadare

foto2

Në parkun që mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë, natyrisht.

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Iu fanit një muzg i vonë
Ky park që kan’ mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb, e dashur, kot,
Imazhin tënd as dinozaurët
Shekuj më parë s’e shtypën dot.

Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap,
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe,
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindëshat
Që te kjo botë të vije ti…