“Rebeka” – letërsi klasike dhe studim mbi xhelozinë
Disa muaj më parë, pak mund të mendonin se një libër i botuar gati një shekull më parë të ishte ndër më të lexuarit e verës. “Rebeka” e Daphne du Maurier, i botuar në vitin 1938, në fakt është një nga librat më të shitur në botë dhe hyn në kategorinë e librave klasikë – një arsye e vlefshme për t’u lexuar.
Libri është i fundit i shqipëruar nga i ndjeri Amik Kasoruho dhe mbase vetëm ky fakt do t’u mjaftonte të pasionuarve pas fjalës për ta shfletuar.
“Një libër mbi influencën që gruaja e parë e një burri mund të ketë mbi të dytën”- shkuan du Maurier në shënimet e saj. “Gruaja e dytë përndiqet ditë e natë… derisa… bum, diçka ndodh.”
76 vjet më parë, “Rebeka” u botua dhe lexuesit u dyndën nëpër librari për të zbuluar natyrën e errët të asaj “diçkaje”. Libri rezultoi kryevepra e du Maurier dhe një klasik i zhanrit fiksion të shekullit XX, duke i mbërthyer e rrëqethur lexuesit edhe sot.
“Rebeka” është një roman me elemente të romancës, misterit dhe romanit gotik; është një rrëfim mbi sekretet dhe tradhtinë; është historia e ekuilibrit të pushtetit midis meshkujve e femrave.
Du Maurier irritohej sa herë njerëzit e cilësonin linrin e saj si romantik, ndërsa vetë ajo e kishte punuar si një studim xhelozinë. Këtë të fundit, vetë autorja e ushqente ndaj Jan Ricardo, të fejuarës së parë të të shoqit. Ricardo më vonë u vetëvra duke u hedhur para një treni, por djali i du Maurier nuk mendon se shkaku ishte martesa e prindërve të tij.
Gjithsesi, thuhet se Daphe përndiqej vazhdimisht nga dyshimet se i shoqi vazhdonte të ndjente për të dashurën e parë.
Kur ishte e vogël, Daphne du Maurier jetoi për pak në një shtëpi që quhej Milton, një shtëpi e madhe, me një holl gjigant dhe me shumë dhoma. Vite më vonë, Daphne zbuloi një shtëpi tjetër të madhe, të rrethuar nga pylli. Shtëpia për shumë kohë ishte e braktisur dhe Daphne shkonte shpesh, ndërsa më vonë jetoi në atë shtëpi ku edhe shkroi pjesën më të madhe të veprave. Vetë Daphne ka thënë se vendet për të ishin shumë të rëndësishme, edhe më shumë sesa personazhet që krijoi. Pikërisht nga këto dy shtëpi të mbetura në kujtesën e saj u krijua Menderli, shtëpia në qendër të librit “Rebeka”, që hapet me rreshtat tashmë të njohur: “Mbrëmë pashë në ëndërr sikur shkova përsëri në Menderli. M’u bë sikur isha përpara portës me kangjella në rrugën e hyrjes, por nuk mund të hyja brenda, rruga ishte e zënë.”
Rebeka është gruaja e parë e Maksim de Uinter, ndërsa e dyta, që është edhe narratorja, është thjesht zonja de Uinter, si për të mos i marrë shkëlqimin Rebekës.
Daphne nuk e kuptoi dot kurrë popullaritetin e veprës së saj, që pa dyshim do të vazhdojë të ngjallë interes për një kohë të gjatë.
Elona Qose