skip to Main Content

Të përkasësh do të thotë…

 

…të jesh bima që rrënjët brenda shkëmbit vdes
dhe jo lulja në vazo që sallonin zbukuron;
të jesh dallga që bregut formë i jep
dhe jo shkuma që mbi valën qëndron;
të jesh zjarri që gjithmonë prushin ndez
dhe jo flakë ku digjen fluturat krahëshkruar;
të jesh pëshpërima e parë çdo mëngjes
dhe jo rënkim i mbytur i natës së shkuar;
të jesh fryma e vetme që mushkëritë e tjetrit mbush
dhe jo puthja e radhës vdekur përmbi buzë;
të jesh prekja që pashmangshmërisht kërkon edhe nesër
dhe jo turbullirë e ëmbël që shkon dhe vjen si muzë…

E vështirë të përkasësh… e vështirë…
sigurisht të kesh dikë është shumë më e lehtë…
por veç udhëkryqet e jetës ta mësojnë më mirë
ndryshimin mes “të kesh” dhe “të përket”…

Artan Gjyzel Hasani