skip to Main Content

Agatha Christie, zonja e krimit

foto12

“Zonja e krimit” njihet në të gjithë botën Agatha Christie, shkrimtarja më e njohur e shkrimeve të misterit. E lindur më 15 shtator 1890, Christie u bë e njohur për historitë policeske, duke u shndërruar në shkrimtaren më të famshme të zhanrit fiksion, ndërsa veprat e saj ndër më të shiturat në të gjitha kohët.
Fansat e saj shprehen të bindur se shitja e librave të Christie kalohet vetëm nga Bibla.
Agatha Christie shkroi 80 romane dhe libra me tregime, 20 vepra teatrore, 6 romane romantike me pseudonimin Mary Westmacott, tregime nga udhëtimet e saj në Lindje, si dhe një autobiografi.
Christie punoi si infermiere vullnetare në një spital gjatë Luftës së Parë Botërore, eksperiencë që i dha njohuri mbi ilaçet dhe helmet që i përdori shumë në veprat e saj.
Mbas divorcit nga burri i parë, u njoh me një arkeolog 15 vjet më të ri, me të cilin u martua dhe nga eksperienca me të cilin nxori një nga shprehjet më të famshme: “Një arkeolog është burri më i mirë që mund të ketë një grua. Sa më shumë plaket ajo, aq më i interesuar bëhet ai”.
Në romanin e saj të parë, “Rasti misterioz i Styles”, në 1920-n, Christie krijoi dedektivin ekscentrik belg Hércules Poirot, që do të shfaqej më pas në 33 romane dhe 54 tregime, si dhe në katër versione kinematografike.
Një tjetër personazh ikonë e saj është zonja Marple, që u shfaq për herë të parë në 1930-n dhe që do të vazhdonte të zgjidhte misteret në 12 romane dhe 20 tregime të shkrimtares.
Veç ndërtimit të personazheve fantastikë, proza e saj u karakterizua nga të gjitha elementet e nevojshme që duhet të kishin lexuesit për të zgjidhur enigmën.
Kjo ishte edhe arsyeja që tregimet e Agatha Christie frymëzuan versione kinematografike, televizive dhe teatrale.
Në autobiografinë e saj, Christie rrëfen admirimin për Arthur Conan Doyle, Graham Greene, Charles Dickens dhe Alejandro Dumas.
Agatha Christie vdiq qetësisht në shtëpinë e saj në Oxfordshire, në 12 janar 1976, kur ishte 85 vjeç. Disa muaj më parë ajo kishte shkruar romanin “Një vrasje e përgjumur”.