skip to Main Content

Ditari i Adamit – vazhdimi 2

 

E premte
Pavarësisht përpjekjeve të mia, mania e saj për të vënë emra, nuk ka të sosur. Kisha gjetur një emër të bukur fare për çifligun, melodioz dhe që i ngjiste aq mirë. “KOPSHTI I EDENIT” e kisha quajtur. Vazhdoj ta quaj kështu privatisht, por jo më në publik. Kafsha e re thotë se është gjithë pyje e shkëmbinj dhe se nuk ka fare pamjen e një kopshti. Thotë se ka më shumë pamjen e një parku dhe (pa më konsultuar, si gjithmonë) i ka vënë një emër të ri: “PARKU I UJËVARËS SË NIAGARËS”. Më duket me plot kuptimin e fjalës, prepotencë. Ja…, ka vendosur edhe një parullë: “MOS SHKELNI BARIN”
Jeta ime nuk është më e lumtur si dikur.

E shtunë
Kafsha e re ha shumë fruta. Jam i sigurt se shumë shpejt ne kemi për të mbaruar të gjitha rezervat ushqimore. Ja, prapë fjala “ne”. Edhe pse e përdor qenia e çuditshme, duke e dëgjuar kaq shpesh po bëhet edhe imja.
Shumë mjegull sot në mëngjes. Me mjegull, unë nuk dal. Kurse kafsha e re, po. Del në çfarëdo moti, dhe çapitet kudo me këmbët e llangosura nga balta. Dhe flet… flet…flet.
Ishte aq bukur e qetë këtu, dikur…!

E dielë
Kaloi, më në fund. Kjo ditë po bëhet gjithmonë e më e mërzitshme. Nëntorin që shkoi u zgjodh e u vu mënjanë, si ditë pushimi. Gjashtë ditë pushim në javë i kisha… tani u shtua dhe kjo.
Sot në mëngjes, gjeta kafshën e re, duke gjuajtur me gurë, për të shkundur mollët nga pema e ndaluar.

… vazhdon …