skip to Main Content

Ditari i Adamit – vazhdimi 3

 

E hënë
Kafsha e re thotë se emri i saj është Eva. Në rregull. Këtu nuk kam kundërshtim. Ajo thotë se duhet ta thërras me këtë emër, kur dua që të vijë. Si emër nuk më duket I keq. Ka rrumbullakësi dhe mund të përsëritet pa vështirësi.
Kafsha thotë se nuk është kafshë por njeri… . Nuk dua t’ia di. Sikur të ikte në punë të vet e të mos i dëgjoja më zërin do të më bënte një nder.

E martë
E ka mbushur çifligun me emra të pakuptimtë dhe udhëzime gati-gati ofendues.
“Këtej, për te burimi”
“Nga kjo anë, për te ishulli i dhive”
“Shpella e erërave nga ky drejtim”
Thotë se ky park do të bëhej një vend shumë i këndshëm turistik veror, sikur të kishte klientelë. “Vend turistik veror”…, një shpikje tjetër nga të sajat! Fjalë, vetëm fjalë pa kuptim. Është më mirë të mos e pyes. Di vetëm të flasë, por nuk di t’i shpjegojë gjërat.

E premte
Ka filluar të më përgjërohet që të mos hidhem nga Ujëvara. Nuk e kuptoj ç’të keqe ka? Ajo thotë se e zë frika. Unë jam hedhur gjithmonë. Rreziku i aventurës dhe freskia e ujit më pëlqejnë. Ma do mendja se ujëvarat janë krijuar për këtë punë. Me sa di, nuk duhen për tjetër gjë, dhe një arsye e kanë pse janë. Ajo thotë se janë bërë vetëm për panoramë, sikurse rinocerontët dhe mastodontët. Zbrita nga mali nëpër ujërat e ujëvarës brenda një fuçie; … ajo jo. E përsërita këtë gjë në një govatë, duke u afruar atje ku uji bie me rrëmbim;… ajo prapë jo. Notova përmes vorbullave nga burimi deri poshtë, në mes të rrymave të ujit, me kostumin tim prej gjetheje fiku, i cili edhe mu gris;… ajo prapë jo. Vetëm ankesa të mërzitshme për ekstravagancën time. Më pengon në çdo gjë. Kam nevojë të ndërroj ajër.

… vazhdon …