skip to Main Content

Ditari i Adamit -vazhdimi 4

 

E shtunë
Të martën që shkoi, natën, u arratisa. Eca dy ditë e dy net. Ndërtova një strehë tjetër në një vend të fshehtë, duke u munduar të fshija gjurmët e lëna me sa munda. Më gjeti. Më zbuloi me ndihmën e një shtaze që ka zbutur dhe e quan ujk. Erdhi dhe me atë zërin e saj ankues, e duke nxjerrë ujë nga brimat që i duhen për të parë, më shkatërroi planin. U detyrova të kthehem mbrapsht me të. Kam për të emigruar prapë, shumë shpejt, sapo të më paraqitet rasti.
Ajo vazhdon të merret me një sërë marrëzish, ku mes të tjerash, studimi i arsyeve pse kafshët e quajtura luanë dhe tigra ushqehen me bar dhe lule,ndërsa sipas saj, nga tipi i dhëmbëve që zotërojnë, duhet të hanë njeri-tjetrin. Kjo është marrëzi, sepse po ta bënin vërtet do të thotë të vriten, dhe vrasja do të thotë “vdekje”. Vdekja, me sa më kanë thënë, nuk njihet akoma në “Park”. Nën një këndvështrim tjetër do të quhej “mëkat”.

E dielë
Kaloi, më në fund.

E hënë
Besoj se e kam kuptuar se përse shërben java: të jep kohë të marrësh veten nga lodhja e së dielës. Më duket goxha ide… Ajo është kacavarur përsëri mbi pemë. E përzura poshtë me gurë. Tha se nuk e shihte njeri. Fakti që nuk e sheh njeri i duket justifikim i mjaftueshëm për të kryer veprime plot rreziqe. Fjala “justifikim”, sa herë që e përdor unë, asaj i ngjall admirimin, bile edhe një zili të brendshme. Jo për mburrje, po është fjalë për kokë të fjalës.

… vazhdon …