skip to Main Content

Ditari i Adamit -vazhdimi 5

 

E enjte
Ajo më tha se është krijuar me një brinjë e shkulur nga trupi im. Kjo, të thuash është e dyshimtë, është shumë pak. Mua nuk më mungon asnjë brinjë… . Tani po e grin meraku për një zog të zi që i ka ngjitur emrin “korb”. Thotë se bari i bën dëm. Ka frikë se nuk ka për t’u rritur. Është e bindur se korbi është krijuar për t’u ushqyer me mish të ngordhur. Korbi duhet të përshtatet me atë që ka. Nuk mund të kthejmë përmbys gjithë sistemin për t’i bërë qejfin një korbi.

E shtunë
Dje po pispillosej në ujërat e pellgut dhe ra bëlldum brenda. Nuk është hera e parë. Në vend të merakoset se edhe për pak u mbyt, thotë se nuk ishte ndodhi e këndshme. U shqetësua për kafshët që jetojnë në ujë. Kishte frikë mos i kishte shtypur. I quan peshq, sepse vazhdon t’u vërë emra edhe gjërave që s’kanë nevojë dhe që po t’i thërrasësh në emër, nuk të binden aspak, po asaj nga një vesh i hyn e nga tjetri i del. E ka kokën shkëmb. Mbrëmë mbushi krahët me peshq dhe i hodhi në krevatin tim për t’i mbajtur ngrohtë. I shikoja me vëmendje, po nuk m’u dukën edhe aq të kënaqur. Më të qetë se sa në ujë ndoshta. Sa të bjerë mbrëmja do i hedh jashtë. Nuk kam ndërmend të fle edhe një natë tjetër me peshqit në krevat. Le që janë të ftohtë e ta shpifin kur të ngjiten në trup.

E dielë
Kaloi, më në fund.

E martë
Tani e ka zënë me një gjarpër. Kafshët e tjera kanë rënë rehat se i luajti mendsh me ato eksperimentet që bënte me ta. Kam rënë rehat edhe unë, sepse gjarpri flet dhe po kënaqen të dy duke biseduar.

… vazhdon …