Ditari i Adamit – vazhdimi 6
E premte
Ajo thotë se gjarpri e këshillon të hajë nga frutat e pemës së ndaluar. I thotë se po hëngri, do provojë një eksperiencë aq të bukur, sa edhe fisnike, dhe ka për të njohur gjëra që deri tani nuk njihen. I thashë se do të ketë edhe një rezultat krejt të kundërt: shfaqjen e vdekjes në këtë botë kaq magjepse. Sikur ta dija që bëra gabim. Më mirë ta kisha mbajtur gojën kyçur. Pa dashur i dhashë një ide. I dhashë idenë se si mund të shpëtojë korbin e sëmurë, e t’u garantojë mish të freskët luanëve dhe tigrave depresë. E këshillova të rrinte larg prej asaj peme. Ajo, si zakonisht,… jo. Parashikoj rreziqe të mëdha. Kam për të ikur që këtu.
E mërkurë
Kalova disa ditë jo të këndshme. U largova më në fund. Galopova mbi një kalë për një natë të tërë pa pushim, me shpresën që të dilja nga Parku dhe të fshihesha në ndonjë vend tjetër, para se të fillonin rreziqet. Kishte rreth një orë që kishte dalë diellit dhe gjendesha në një fushë të madhe të blertë. Një fushë me mijëra kafshë nga më të ndryshmet. Disa kullosnin, të tjera loznin siç bëjnë kafshët, të tjera akoma flinin e shulloheshin. Papritur shpërtheu një stuhi britmash e klithmash. Nuk vonoi shumë dhe fusha u kthye në një kasaphanë ku kafshët filluan të shqyenin e të hanin njëra-tjetrën. E kuptova menjëherë ç’kishte ndodhur. Eva kishte ngrënë frutin dhe për rrjedhojë, vdekja kishte bërë hyrjen e saj në këtë botë… .
Tigrat po gllabëronin kalin, dhe edhe pse u bërtisja, nuk më bindeshin më si më parë. Do të kishin përlarë edhe mua, po të kisha ndenjur. Ja dhashë vrapit me të katërta… Gjeta këtë vend, jashtë Parkut, dhe dy ditët e para nuk m’u duk edhe aq i keq. Pas dy ditësh, si për habinë time, u ndesha ballë për ballë me Evën. Më zbuloi edhe këtu. Më zbuloi dhe filloi menjëherë me lajthitjet e saja. Vendin e quajti Tonowanda. Të them të drejtën nuk më erdhi edhe aq keq. Këtu ka pak fruta dhe ajo solli shumë nga ato të pemës së ndaluar. Hëngra pa u menduar shumë. Më kishte marrë uria! E di që u solla kundër parimeve të mia, por mendoj se parimet vlejnë vetëm kur e ke barku plot… . Ishte veshur e pispillosur me gjethe e degë dhe, kur e pyeta se ç’kuptim kishte kjo veshje anormale, dhe sidomos kur ia hoqa e ia flaka përdhe, qeshi tërë nervozizëm dhe u skuq nga turpi. S’kisha parë ndonjëherë njeri të qeshte ashtu dhe të skuqej nga turpi. Më tha se shumë shpejt kisha për ta kuptuar përsenë e atij prezantimi. Edhe pse kisha akoma uri e lashë mollën përgjysmë (padyshim molla më e mirë që kisha provuar duke pasur parasysh që nuk është stinë mollësh) dhe iu drejtova me egërsi duke i dhënë urdhër të shkonte dhe të merrte mollë të tjera e të hiqte dorë nga sjellje të tilla prej karagjozeje. U bind, dhe fshehtazi e pa bërë zë u afruam te fusha ku kishte ndodhur kasaphana kafshërore. Morëm disa lëkura e i kërkova të na bënte nja dy kostume që ti kishim për të dalë. Nuk janë shumë komodë por, janë elegantë dhe dihet që në veshje eleganca ka rëndësi. Po vë re se, tani që humba pronat, se jeta ime do të ishte shumë monotone pa të. Edhe diçka tjetër: këtej e tutje duhet të punojmë për të jetuar, kështu që Eva më nevojitet. Ajo do punojë ndërsa unë do jem mbikqyrsi.
… vazhdon ..