skip to Main Content

Ditari i Adamit – vazhdimi 7

Mark Twain
Perktheu: Ben Mece

Dhjetë ditë më vonë
Më akuzon se jam unë shkaku i fatkeqësisë. Thotë me sinqeritet e bindje të plotë se, ishte gështenja, dhe jo molla, fruta i ndaluar, sipas gjarprit. Atëherë unë jam i pafajshëm, i thashë, se nuk kam ngrënë gështenja. Tha se, sipas gjarprit “gështenja” ka kuptim figurativ dhe do të thotë “dëshirë e shprehur me shaka”. U bëra dyllë i verdhë kur dëgjova këtë shpjegim. Shpesh herë kisha shprehur shumë dëshira, ashtu kot, për të shtyrë kohën. Më pyeti nëse kjo kishte ndodhur edhe në momentin e katastrofës. Isha i detyruar ta pranoja, pasi kisha shprehur megjithmend një dëshirë në atë moment. Dëshira ishte në lidhje me ujëvarën, pak a shumë e tillë: “Sa bukur do të ishte sikur i tërë uji të binte përnjëherësh poshtë” Pak sekonda më vonë kisha menduar të kundërtën: “Do ishte më bukur akoma sikur i gjithë uji të ngjitej përnjëherësh lartë”. U shkula së qeshuri me vete tek mendoja këto gjëra, kur, fare papritur, natyra u tërhoq mënjanë për t’ia lënë vendin luftës dhe vdekjes. U detyrova t’ia mbathja për të shpëtuar jetën. “Ja” shpërtheu ajo në triumf, “Tekstualisht këtë më tha gjarpri, bile të njëjtat fjalë që përmende ti. I thonë Gështenja e Parë dhe është e vjetër sa bota” vazhdoi ajo. Pra qenka faji im. Qenkam unë ai që duhem ndëshkuar. Ku shkova dhe mendova ato gjëra!

Një vit më vonë
Ja kemi vënë emrin Kain. Ajo e gjeti kur unë kisha shkuar të ngrija gracka buzë lumit Erie. E gjeti në pyll nja dy kilometra larg shpellës sonë. Ndoshta mund të kenë qenë katër kilometra, nuk është se ajo e mban mend mirë. Na ngjan pak neve dhe mund të jetë i të njëjtës racë. Kështu mendon ajo. Për mua e ka gabim. Nuk ka mundësi, është shumë i vogël. Besoj se është një lloj kafshe e re. Peshk ndoshta, edhe pse kam pak dyshim, pasi kur e futa në ujë, për ta provuar, në vend të notonte po mbytej. Ajo u hodh brenda dhe e nxori para se të përfundoja eksperimentin im. Unë vazhdoj të jem i bindur se ai është peshk, por për atë nuk ka shumë rëndësi dhe nuk më lejon të bëj prova të tjera. Këtë nuk arrij ta kuptoj. Ardhja e krijesës ka ndërruar mënyrën e jetesës së saj duke i hequr dëshirën e eksperimentimit. Harxhon më shumë kohë me të se me gjithë kafshët e tjera dhe nuk di ta shpjegoj përsenë. Është konfuze, e tregon çdo sjellje e saj. Ndonjëherë e mban peshkun në krahë për tërë natën, teksa ai i gjori ankohet për t’u kthyer në ujë. Në këto raste i del ujë nga vrimat që i shërbejnë për të parë dhe e godet lehtë në kurriz. Pastaj nxjerr tinguj nga goja për t’i tërhequr vëmendjen. Nuk e kam parë kurrë të sillet kështu me asnjë peshk tjetër dhe fakti më preokupon shumë. E kishte zakon të nxirrte në xhiro tigrat e vegjël, kur ishim akoma në pronat që humbëm, por dilte thjesht për të luajtur dhe asnjëherë nuk mbaj mend t’i qëllonte nga kurrizi kur këtyre u shkonte ushqimi keq.

Fund

Mark Twain
Perktheu: Ben Mece