skip to Main Content

Fakte pak të njohura për Haruki Murakamin

Haruki Murakami është i jashtëzakonshëm, padyshim një nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë. Edhe pse shumë i njohur në të gjithë botën me veprat e tij, pak gjëra dihen mbi jetën e tij private.
Më poshtë, gjeni disa kuriozitete që do t’ju bëjnë ta admironi më shumë, sidomos numri 10.

1. Murakami e adhuron xhazin. Puna e tij e parë ishte në një dyqan me pajisje muzikore. Ai koleksionon disqe, në veçanti me muzikë xhaz; ka më shumë se 6 mijë disqe.

2. Ka një rutinë shumë të ngjeshur. Kur është duke shkruar një roman të ri, dita e punës e Murakamit nis që në orën 4.00 të mëngjesit dhe punon për 5-6 orë. Pasdite vrapon për 10 km ose bën 1500 m not. Më pas lexon ndonjë gjë dhe dëgjon muzikë. Shkon për të fjetur në orën 21.00. Vetë shkrimtari ka thënë se mbajtja e së njëjtës rutinë e ndihmon në procesin e të shkruarit.

3. Murakami i adhuron filmat. Thuhet se gjatë një viti në universitet (ka studiuar për dramë në universitetin e Tokios, ku u njoh edhe me të shoqen) ka parë më shumë se 200 filma.

4. I pëlqejnë macet. Në një ese të vitit 1989 ka shkruar se ka pasur më shumë se 10 mace.

5. Është një vrapues i rregullt. Pavarësisht dashurisë për xhazin, kur vrapon dëgjon vetëm muzikë rrok.

6. Asnjëherë nuk e di fundin kur shkruan një roman. Në një intervistë për “Paris Review” ka thënë: “Kur nis të shkruaj një roman, unë dhe lexuesit jemi në të njëjtin nivel. Nëse libri flet për një krim, që në fillim unë nuk e di kush e ka bërë krimin. E shkruaj librin sepse më pëlqen ta zbuloj. Nëse do ta dija, ç’kuptim do të kishte të shkruaja?”

7. Librin e parë, Haruki Murakami e ka shkruar në tavolinën e bukës. Iu deshën 10 muaj për ta përfunduar.

8. Lexuesja e parë e librave të tij është e shoqja, Yoko.

9. Libri i tij i parë jo fiksion është “Nëntokë” – 1998 – një përmbledhje intervistash me viktimat e sulmit me gaz sarin në metronë e Tokios, në vitin 1995.

10. Haruki Murakami nuk e ka idenë sesa para ka: “Nëse je i pasur, ke luksin të mos shqetësohesh për paratë. Gjëja më e mirë që mund të blesh me para është liria, koha. Nuk e kam idenë sesa para fitoj në vit, nuk e kam idenë sa taksa paguaj.”

Fatlumi Murakami!