skip to Main Content

Privilegji i gjenjeshtert

Të jesh i dashuruar dhe i lirë!
Ç’gënjeshtër fatale, ç’mashtrim,
midis dhjetra krahëve flokëgjatë
të zgjedhësh një të vetëm përqafim…

Të jesh i dashuruar dhe i lirë!
Ç’lumturi dhe njëkohësisht ç’tmerr,
tërë botën të falësh për një zemër,
për një zemër që tërë botën të merr…

Të jesh i dashuruar dhe i lirë!
Më i rremi qiellori privilegj
që diellin ta dhuron ndër duar
e hënën nga duart ta heq…

Të jesh i dashuruar dhe i lirë!
Dy ëndrra që s’bëhen kurrë një,
perëndim që bujshëm largohet
e madhështinë një muzgu ia lë…

(1979-80)
©Artan Gjyzel Hasani