skip to Main Content

Fshati i Budallenjve – Pjesa e parë

Erdhi dita dhe më në fund Qerosi e ndau mendjen që të nisej për në fshatin e Budallenjve.
Miqtë e këshilluan të mos i hynte asaj valleje. Askujt nuk ia mbante të hynte në atë fshat. Fshati i Budallenjve kishte vetinë të ta ngjiste budallallëkun pa një pa dy, njëlloj si gripin, më keq akoma, si kolerën.
Por Qerosi edhe rrezikun më të madh e merrte me të lehtë e me të qeshur, ndaj bënte shaka me shqetësimin e miqve.
Aha,- e humbën ata durimin,- gjersa ke vendosur të shkosh, je infektuar që tani me mikrobin e atij fshati”. Mirëpo ata gabonin: ta marrësh gjithçka me të lehtë nuk do të thotë se je mendjelehtë. Para se të nisej, Qerosi u takua me plakun më të moçëm të krahinës, i cili e porositi të merrte me vete dy faqore: një të mbushur me raki, një me shëllirë. Kur t’i vinte për të qeshur, të pinte një gllënjkë shëllirë, kur t’i vinte për të qarë, të pinte një gotë raki. Kështu shmangej rreziku që të budallallepsej.
I pajisur me ilaçin antibudalla, Qerosi kaloi nëpër një urë të lartë në hyrje të Fshatit të Budallenjve. Në anën tjetër të urës një vajzë e rritur po qante e ulur mbi një trung. Dënesej e ofshante sa të këpuste shpirtin. Eh, të shikosh një vajzë të re e të bukur të vuajë kësisoj, kjo pamje ta ndrydh zemrën … Kushedi c’fatkeqësi do t’i kishte ndodhur. Qerosi ndjeu t’i njomeshin sytë. Ishte gati të qante, kur iu kujtua ilaçi i plakut, piu me vrap një gllënjkë raki dhe lotët iu përthanë, madje nuk ndjeu më keqardhje.
-A mund të të ndihmoj, moj vajzë?- i foli.
-E ku më ndihmon dot ti, o udhëtar; se unë do rritem e do martohem, do të lind një djalë, do t’ia vë emrin Llazmon. do ta dërgoj Llazmonin në arë, do më bjerë nga ura, do më bëhet copë-copë,- dhe varda lotët.
Qerosit i hipi një e qeshur e tillë, saqë nga ha- ha-të e tij do të ishte dridhur edhe ura. Në çastin e fundit u kujtua për shëllirën dhe ktheu nxitimthi një gllënjkë. Shëllira, tok me buzët, i thartoi dhe të qeshurën. Nuk ndiente hiç dëshirë për të qeshur:
-Po ku do të shkoje, moj vajzë?- i foli.
-I çoja bukën babait në arë
-Po çoja.
-Po Llazmonin që do më bëhet copa, ku ta lë?- dhe u shkreh në vaj, -Korba unë për ty, o Llazmon ..
Qerosi u hoq mënjanë nën një hije peme dhe priti ç’do të ndodhte .. Nuk vonoi dhe pa një plak të vinte nëpër urë gati me vrap. Vajza e ngriti ligjërimin një notë më lart.
-Ç’ke, moj çupë, që po qan?- thirri ai i trembur, pa sosur tamam.
-E si mos të qaj, or baba; po unë do të rritem dhe ca, pa do të martohem, pa do të lind një djalë që do t’ia vë emrin Llazmon, pa do ta dërgoj djalin në arë, pa do më bjerë Llazmoni nga kjo urë, do më bëhet copa.
-Bobo, ç’ka për të na gjetur, moj çupë!- dhe zu’ të qante edhe babai tok me të bijën. -Ah, ah, o Llazmon i gjyshit, kurse unë pritja drekën në arë, që më helmoftë ishallah!- dhe varda dy palë lot.
Qerosin e zu’ një gaz edhe më i madh se pak më parë dhe nxitoi ta shuante me një gllënjkë shëllirë.
Babë e bijë s’po pushonin së qari dhe ai vendosi të priste se ç’do të ndodhte më tej. Erdhi një grua, me sa dukej e jëma e vajzës, e shqetësuar për vonesën
e së bijës.
-Ç’keni kështu që qani? Ç’ju ka gjetur?- tha me një frymë.
I thotë vajza të jatit me lot në sy:
-Kallëzoji, o babë, kallëzoji nënës se ç’na ka gjetur.
-Eh. moj grua,- ofshajti plaku,- do na iki Llazmoni prej duarsh.
-Cili Llazmon?- e ndërpreu gruaja. -Ne s’kemi ndonjë Llazmon.
-Nuk kemi tani, po do ta kemi, moj nënë,- tha e bija nëpër dënesa. -Se unë do të martohem e do të lind një djalë që do ta quajmë Llazmon. Do ta dërgoj Llazmonin kur të rritet në arë, ai do të vijë deri këtu, do të gremiset nga ura e do të bëhet copë-copë.

-U, derëzeza, o Llazmon,- zu’ të vajtonte me ligje edhe gruaja,- u, që do të na mbyllësh derën, o Llazmoni Po si do rrojmë ne pa ty, o Llazmon i nënës!. ..
Po si s’më ra një pikë e të mos e dëgjoja gjëmën tënde, o Llazmon – dhe bjer gjoksit me grushte e shkul flokët.
Qerosit iu desh të pinte dy gllënjka shëllirë para se t’i afrohej asaj tresheje vajtuese.
-Mjaft, o njerëz të mirë,- u tha me ton ngushëllues- se nuk ju do Llazmoni kështu.
Treshja e Llazmonit u mallëngjye duke i dhënë vajtimit një vrull të ri.
-Ju lumtë!- i përgëzoi Qerosi,- keni derdhur aq shumë lotë, saqë e ndryshuat fatin e Llazmonit.
-Si?- e ndërprenë ata për një hop vajin.
-Po, po, Llazmoni do të rrojë,- u tha Qerosi si një sihariq.- Dhe e dini qysh?
-Hë- folën të tre me një gojë.
-Ju do ta shisni arën që keni përtej urës dhe do të bleni një tjetër përkëtej urës,- foli Qerosi si një mendtar i urtë. -Kështu Llazmoni nuk do të kalojë nëpër urë, si rrjedhojë, nuk do të rrëzohet nga ura …
-O të faleminderit shumë, o njeri i mirë!- e përqafoi babai i vajzës.
– Tu bëftë dita një mijë, që na shpëtove Llazmonin!- e puthi dhe gruaja në të dy faqet.
-Po cili je ti, o bamirësi ynë?- e pyeti vajza me lot gëzimi.
-Unë – u zu ngushtë një hop Qerosi,- unë jam doktor Rakishëllira.
-Rrofsh, o doktor Rakishëllira!- e uroi babai i vajzës,- dhe qofsh dhe nuni i Llazmonit kur të lindë
-Jam mjaft i nderuar të jem nun i Llazmonit,- u tha Qerosi duke kërkuar një shkas që t’u largohej sa më parë. Nga larg vinte muzikë sazesh.
– Tani na urdhëroni nga shtëpia,- e ftoi babai i vajzës.
-Me gjithë qejf,- i tha Qersoi – po jam i ftuar te ajo dasma nga vjen muzika. Tani mirupafshim kur të lindë Llazmoni dhe Llazmoni t’ju rrojë e t’ju gëzojë!

… vazhdon nesër në ora 8:00