skip to Main Content

Kënga e verbër

Trifon Xhagjika

E shkreta ti, o Republikë!
u blatohesh të zotërve
pa e ditur ç’janë.
Dritën ta shuajnë në terr
e ditën ta ndezin;
bukën ta shtrojnë në sofër
e duart t’i presin;
në burim të çojnë
e gojën ta mbyllin.
Ata të kthyen në metelikë!
E shkreta ti, o Republikë,
e çmendura ti, o Republikë,
gënjeshtarja ti, o Republikë,
kusarja ti, o Republikë!
Me emrin tënd të vjedhin jetën.
Sa do të doja
që ballin e ftohtë
me dritën e rrufeshme të ma përkëdhelje,
ëndrrat e ngrira të më zgjoje.
Me tmerrin duke shkuar
do të kuptoja dashurinë e jetës,
kur je në gji të nënës.
O njerëz të thjeshtë,
ju dua!
Mund t’ju shërbej
si ushtarë, si shërbëtor besnik.
Veç me mua ejani,
t’ju rrëfej të vërtetën
që ndrit.
Të dinë udhëheqësit lart
dhe e larta Republikë
se nuk jemi
as të verbër
as të shurdhër në politikë.
O Republikë e pabesë!
T’u fala
si kristiani Krishtit,
po ç’më dhe?
Dhe diellin do të ma zësh.
Turp,
Atdhe!
S’due di kush je!
Te ty jam
i lirë pa liri,
i gjallë i pajetuar,
i vdekur i pavarrosur.
O vendi im,
o Republikë!
Në ç’rrugë po ecën tani
me duar të gjakosura,
me sy të çuditshëm?
Vetë jeta çudinë ta zmadhon
e të ardhmen ta shuan.
E pikëlluar,
mashtrimi i buzëqesh.
Shko!
Shko, o Republikë!
Mua më duhet të eci në rrugën time.
Nga nata ilegale
ku ndrydhen qëllimet,
të dal në ditët e të ardhmes,
të ngre flamurin e besimit tim.
Aty
të shkruar e kam biografinë,
të pastër e pa njolla.
Dhe ti, o Republikë,
e gjora republikë,
do të jesh përsëri me mua.
Po tani
të të pështyj unë dua,
se ti nuk pate turp
të mbytësh historinë.
Me këtë këngë të verbër
të ngre në gjyq,
në gjyqin e të heshturve.
Ç’të të këndoj më? Trishtimi po më mbyt.
Lodhja dorën ma përshkon.
Por tërbimin nuk e ndal dot.
Jo!
Nuk mundem të të fal.
Gjuha m’u zgjidh.
Vramë po të duash.
Në netët e tua të gjakosura
do të dëgjosh zërin tim:
“Të urrej o Republikë,
lavire e zotërve gjakprishur!”