skip to Main Content

Legjenda e misrit

 

Migjeni

Misër! Misër!
Në shekullin e njëzet s’ka apoteoza perëndish, por ka apoteoza misri….
…Lajmi se do të shpërndahet misri dolli nga zemra e dheut, rrodhi nëpër dejt e thella deri te gjymtyrët e mpira të dheut që quhet shtet. Dhe bani të dridhen nga gëzimi frymorët që s’kanë me ç’ka të mbajnë frymën.
Si thneglat që mblidhen rreth një kokrrës misri, q’ashtu në një qendër nënprefekture janë mbledhun malësorët rreth depos së misrit. Katundëvet që përfshin nënprefektura do t’u ndahet misri. Malet e egra me mjegull e borë, qiella që tue derdhë shi teë lag deri në palcë kishin dashtë t’ia presin rrugën malësorit. Por kush ja ndalon atij hovin kur shkon me marrë misër? Misër për fëmi të nximë nga mjerimi, të cilët kur duerte shtrijnë u përngjajnë lugetënve të voçër. Dhe këta fëmi janë dëshmoret e vërtetë të tragjedisë njerëzore. Dëshmorët tragjikë në këtë skaj të dheut, të cilët njerzit e huej i kujtojnë legjenda historike. Legjenda historike me një lumni legjendare. Se lumnia e vërtetë asht larg, tepër larg, nga këto foletë e shqipeve.
Nëpër luginat e maleve përshkohet malësori vetëm me një këmishë e brekë legjendera mbi shtat për me arrijtë në qendrën e nënprefekturës, me marrë misër. Krahnori i tij asht një copë graniti që u shkëput nga mali dhe u vendos mbi dy kambë të drejta e të forta si landa e pyllit. Dhe lëvizet copa e malit pa bëzajtë. E përpara depos së misrit bjerr cilsin’ karakteristike të veten dhe bahet frigacak. Bahet servil, frigacak, pse, – mendoi ai – nj’ashtu e don ligji, nëpunësi; përndryshe s’ka misër. “Si urdhnon zotni” përsëritet sa e sa herë në mënyrë qesharake, me të marrun zani, me gjeste majmuni – vetëm e vetëm mos me zgjue mninë e engjujve që ndajnë misër.
Dhe kur e marrin misrin, nisen njani mbas tjetrit gjatë udhës së ngushtë të malit dhe të jetës. -Ndodh që njërit i derdhen kokrrat e misrit nëpër bire të vogël të thesit, shoku mbrapa, pa i pa, i shkel, i treti shok, as një, as dy, por ja hedh mallkimin e pamshirshëm: “Mos i shkel he të shitoftë Zana!”
Se shekulli i njëzet asht shekulli i apoteozës së misrit ndër foletë e shqipeve