skip to Main Content

Mjegulli i dashurisë

agolli1

 

Kur ikja larg, drejt teje vija,
kur vija afër, ikja larg,
për dreq më trembte largësia
dhe afërsia bëhej çark!

As e kuptoja si të desha,
një mjegull pus, një çmenduri,
si një poet që shkruan vjersha
dhe ndez një shkrepëse dhe i bën hi.

Dhe ndoshta kjo ish dashuria,
e çakërdisur, kuturu…
për dreq më trembte largësia
dhe afërsia gjithashtu.