Në kujtim të Migjenit, poetit modern të letrave shqipe
“Luli i vocërr” është pjesa e parë që kam lexuar nga Migjeni. “Gojët e shqyera” të këpucëve të Lulit
më kanë përndjekur qysh atëherë. Në gjithë vitet e mia nuk mbaj mend ndonjë vepër tjetër të ketë pasur të njëjtin ndikim si ajo pjesë aq e vogël, e shkruar aq thjesht, por aq e fuqishme në të njëjtën kohë.
Sot shënohet dita e lindjes e poetit, që jetoi fare pak vetëm 27 vite.
Ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të, për kohën kur jetoi ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma. Askush tjetër nuk ka arritur ta pasqyrojë aq realisht varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, me krijimet e tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”.
Heronjtë e veprave të tij më të mira ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë.
Pjesa më e njohur e tij dhe ndër më të fuqishmet e letërsisë shqipe, “Poema e mjerimit”, jep një tablo të gjallë dhe rrëqethëse të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara.
Migjeni u lind më 13 tetor të vitit 1911 në qytetin e Shkodrës dhe vdiq nga tuberkulozi në moshë të re, në spitalin Tore Peliçe afër Torinos në Itali.
Emri i vërtetë i Migjenit ishte Milosh Gjergj Nikolla dhe vinte nga një familje e varfër shqiptare, jeta e të cilit do të rëndohej gjithnjë e më tepër nga vdekja në vdekje dhe fatkeqësi të rënda e të njëpasnjëshme familjare, të cilat i morën më të dashurit dhe anëtarët më të ngushtë të familjes së tij.