skip to Main Content

Në munç

Meqe ju pelqeu poezia “Ne mundsh” e Kipling, te cilen e postuam dje ne variantin e shqiperuar nga Robert Shvarc, sot e sjellim te perkthyer nga Fan Noli. Na shkruani per variantin qe ju pelqen me shume.

Në munç

Në munç të mbash në kokë terezinë
Kur shokët çmendër dhe fajtor të nxijnë;
Në munç të kesh besim, kur të dyshon
Kushdo, dhe s’ka njeri që të beson;
Në munç të preç, dhe pritjen s’e kursen,
Në të gënjefshin, ti nuk i gënjen,
Në të urrefshin, ti s’i çan me brirë,
Dhe s’hiqesh as m’i mënçim as m’i mirë.

Në munç të çndërrosh e të mejtosh,
Dhe nga këto në mos u robërofsh;
Në munç të preç Triumfin dhe Hatanë,
Dhe t’i shkelmosh të dy si kallpazanë;
Në munç të mbahesh, kur një dreq ta dreth
Të drejtën dhe në lak syleshin heth,
Kur sheh kalan’ e jetës të rëzuar
Dhe prap e ngre me veglën e çkallmuar;

Në munç të vësh m’i grumbull çdo thesar,
Edhe t’i loç të gjitha me një zar,
T’i humpç edhe të nisësh përsëri
Pa thën’ asgjë për këtë batërdi;
Në munç të kesh një zemër, trup e kokë
Që të shërbejnë sa të bëhen trokë,
Dhe të vazhdosh i djegur shkrump në furrë,
Dhe të thërret vullneti: “Mbahu, or burrë!”

Në munç të zbreç në turm’ e të mbash nderin,
Të hash me mbretin, të pish me neferin;
Në mos të ngaftë dot as mik as hasmë,
N’i daç të gjithë, po asnjë për dasmë;
Në munç për çdo minutë të përpjetë
Të rënç tamam sekunda gjashtëdhjetë;
Zaptove dhenë me çdo mall dhe hir,
Dhe ca më mirë, qënke trim, or bir!